Për presidentin kosovar Hashim Thaçi, 2019-a është viti i vendimit historik për Kosovën. Në një letër publike me rastin e festës së Vitit të Ri, Thaçi i bën thirrje klasës politike kosovare të bashkohet për të arritur një marrëveshje përfundimtare me Serbinë.

“Kthesat e mëdha historike, të cilat e kanë vendosur fatin e shteteve dhe popujve anekënd botës, shpesh kanë qenë rezultat qoftë edhe i një vendimi të vetëm. Nuk do të ishim të sinqertë me vetveten nëse mendojmë se nuk ka pasur raste kur kemi humbur mundësi historike, për shkak të mungesës së vendimmarrjes ose vendimeve të gabuara”.

Këtë kontekst, sipas Thaçit ka edhe letra e dërguar nga presidenti amerikan Donald Tramp.

“Përmbajtja e letrës së Presidentit të SHBA-së, Donald Trump ishte inkurajim për të gjithë liderët në Kosovë, për të shfrytëzuar mundësinë e krijuar dhe për të bërë marrëveshje gjithëpërfshirëse të paqes me Serbinë.  Presidenti Trump e bëri të qartë se dështimi ynë eventual për të arritur marrëveshjen mund të ketë pasoja tragjike, jo vetëm për Kosovën, por edhe më gjerë”

Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se mbështesin çfarëdolloj marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, ndër të cilat edhe rishikimin e kufijve, që është propozuar nga Hashim Thaçi, mjafton që marrëveshja të jetë e kënaqshme për të dyja palët.

Tv Klan