Mbledhja e dytë e Komisionit Hetimor për të Dhënat e Sistemit TIMS është përfshirë me debate mes përfaqësuesve të mazhorancës dhe opozitës. Një nga çështjet ku është fokusuar kjo mbledhje ka të bëjë me përfshirjen ose jo të Sali Berishës, Gazment Bardhit dhe Lulzim Bashës në listën e personave për të dëshmuar në komision.

Kryetari i komisionit të TIMS, Ervin Salianji, thotë se ish-kryeministri, Sali Berisha dhe kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi janë shtuar në planin paraprak si propozim i anëtares së komisionit hetimor, Blerina Gjylameti, ndërsa Lulzim Basha me propozim të nënkryetarit të këtij komisioni, Toni Gogu.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e mazhorancës thonë se nuk e kanë kërkuar një gjë të tillë pavarësisht informacioneve që kanë qarkulluar dhe pretendimeve të opozitës. Ndërkohë, Salianji ju është kthyer duke ju thënë se nuk kanë frikë të përballen teksa i ka ftuar që të thërrasin kë të duan për të dëshmuar në këtë komision.

Toni Gogo: I bëj thirrje Sekretariatit Teknik të këtij komisioni që t’i fiksojë mirë në planin tuaj që deklaruat, të jetë i njëjtë me atë që është në procesverbal sepse në procesverbal është pasqyruar plani paraprak që ju keni deklaruar në mënyrë që çdo përpjekje e juaja për t’u bërë gjyqtari i Sali Berishës, të mos e kthejë këtë komsion në qesharak, por të bëjmë atë që na ka caktuar ligji.

Ervin Salianji: Në mbledhjen e parë ju thashë që shpresoj që të dilni me mendtë tuaja dhe të mos vini me mendjet e tjerëve. Këto janë deklarata politike që nuk kanë të bëjnë me punën e këtij komisioni. Ëndrrat që ju folët nuk janë objekt i hetimit dhe ligjit. Nëse ju keni sherr me njëri-tjetrin, ky nuk është problemi im. Nuk e kuptoj pse e keni këtë diferencë në qëndrime. Objekti i hetimit është i ngarkuar nga seanca plenare dhe nga Kuvendi dhe ne duhet të bëjmë punën. Nëse doni të krijoni tymnaja për t’iu shmangur thelbit të problemit, nuk e bëni dot. Në procesverbal, Gjylameti, po edhe ju Gogu si nënkryetar i komisionit keni propozuar 3 emra për të dhënë llogari në këtë komision, unë për të pasur konsensus të gjerë dhe për të tejkaluar ndasitë partiake që në këtë komision jemi përballë atyre që kanë ndërhyrë në TIMS. Plani paraprak i hetimit është siç e kam deklaruar, me shtesën siç e kam thënë që propozimet tuaja për thirrjen dëshmitar të Berishës apo cilindo ju mendoni që duhet të vijë të japë llogari në komision, jemi në dispozicion dhe nuk kemi asnjë frikë që të përballemi pavarësisht se kujt partie politike i përkasin dhe kjo ka të bëjë për të dalë me një produkt të përbashkët. Propozimet që keni, mos hajdeni një ditë me mendjen tuaj dhe një ditë me mendjen e dikujt tjetër. Të mbetemi në objektin që ka ky komision hetimor. Kam një thirrje për të gjitha institucionet e sidomos për Policinë e Shtetit që ne të gjitha informacionet që kemi, të mos ketë guxim askush të falsifikojë akte që do të jenë objekt i këtij komisoni sepse kemi informacione të verifikuara për ato që themi.

Blerina Gjylameti: Unë e kuptoj që ëndrrat e parealizuara të bëjnë që të mbash qëndrime që nuk i beson, por ndërkohë të marrësh ironinë për të vërtetë, të marrësh retorikën për qëndrimin e më pas të ndërtosh një fabulë të tërë për të nxjerrë Romeon nga ballkoni, unë besoj se është e tepërt dhe nuk është as në nderin tuaj sado që ta duani dhe ta dashuroni Romeon. Nuk ka nevojë mes nesh të na tërheqë veshin njeri, ne jemi me përgjegjësi shumë të madhe. Kur bëj ironi, ma mbaj për të tillë. Komisioni hetimor është ngritur për të hetuar atë që ka ndodhur në 2 Gusht të 2023-it.

Mbledhja e radhës e Komisionit Hetimor për Sistemin TIMS është caktuar që të zhvillohet të premten e 12 Prillit në orën 12:00./tvklan.al