Edhe pse ende nuk ka përfunduar, kostot e rrugës Tiranë – Elbasan qytetarët do t’i paguajnë në të ardhmen.

Televizioni Klan ka siguruar listën e kredive që buxheti i shtetit ka marrë për këtë segment prej 32 kilometrash të gjatë, të cilat kapin një vlerë totale prej 378 milion Dollarësh.

Por nga e gjithë kjo shumë janë shlyer deri më sot 19 milion Dollarë, ose 5%, pjesa e mbetur do të paguhet nga taksat e qytetarëve vitet e ardhshme.

Shqipëria përfundon tërësisht pagesat e kësteve të borxhit që ka marrë për ndërtimin e kësaj rruge në vitin 2037.

Pothuajse e gjithë rruga është ndërtuar me borxhe ndaj institucioneve financiare ndërkombëtare, me përjashtim të disa faturave që buxheti i ka dhënë firmës kontraktore pas krijimit të detyrimeve të prapambetura nga Autoriteti Rrugor disa vite më parë.

Dy kreditë e vetme që janë paguar janë ajo e Fondit të Abu Dhabit që ka nisur të shlyhet në 2014-n dhe ajo e OPEC vitin e shkuar.

Sipas Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë kostoja totale e rrugës Tiranë – Elbasan ka arritur në 450 milion dollarë, por po t’i shtohen edhe punimet e rrëshqitjeve në segmentin e 3-të dhe interesat e kredisë, faturës në buxhet do t’i rëndojnë edhe 15 milion Dollarë të tjera.

Rruga Tiranë – Elbasan ka nisur të ndërtohet në vitin 2011, por ende dhe sot pas 7 vjetësh nuk ka përfunduar.

Tv Klan