marijuanaaa okPolicia italiane sekuestron një tjetër sasi rekord droge me prejardhje nga Shqipëria. Bëhet fjalë për 1450 kg mariuanë të sekuestruar  në një peshkarexhë, e cila u kap teksa lundronte në afërsi të portit të Katanias në Siçili. Vlera fillestare e sasisë së sekuestruar arrin në 6 mln euro. Mediat italiane bëjnë me dije se bëhet fjalë për një operacion policie të zhvilluar një ditë më parë të titulluar “Sunset”.

Në pranga ranë 3 shtetas italianë, dy prej tyre vëllezër, Xhuzepe dhe Sebastano Konstanco, përkatësisht 51 dhe 52 vjeç. Ata janë pronarë të peshkarexhës “Arizona”, 22 metra të gjatë. Policia arrestoi edhe 45 vjeçarin Sandro Mirabela, poseduesi i sasisë së drogës së sekuestruar.

Autoritetet italiane thanë se falë informacioneve të shërbimeve inteligjente, peshkarexha e ngarkuar me drogë, ishte pikasur fillimisht teksa lundronte në detin jon në afëri të brigjeve kalabreze.

Në ndjekje të saj, deri në mbërritjen pranë brigjeve siçiliane ishte vënë një skuadër e forcave detare e ndihmuar edhe nga një helikopter, që e ndoqi nga lart të gjithë operacionin.

Policia italiane bën të ditur se bëhet fjalë për një rrjet të mirëorganizuar të trafikut të lëndëve narkotike, që lidh Shqipërinë me Siçilinë. Madje sipas tyre, ekziston edhe një pakt mes grupeve kriminale kataneze dhe shqiptare për t’a kthyer Katanian në treg e shumice për tregtimin e marjuanës.

Kjo është sasia e dytë e madhe e drogës  nga Shqipëria e kapur brenda pak ditësh në Itali. Të dielën në mbrëmjë policia italiane dha detaje të një operacioni në Fiumiçino ku u sekuestruan 900 kilogram kanabis dhe u vunë në pranga dy shtetas. Një ditë më parë gazeta më e madhe italiane Korriere Dela Sera shkruante se nga Shqiperia transportohet marijuane e prodhuar ne vend dhe heroine, qe vjen nga Turqia.  Droga mbërrin me anije e avionë të vegjël Cesna e Pajper, qe ulen ne aerodrome të vegjël apo rrugë e terrene të vështira, kryesisht anës rrugëve nacionale. Sipas gazetës nga janari i këtij viti deri në prill, autoritetet italiane kanë sekuestuar 9.730 kilogramë kanabis staiva, të trafikuar nga Shqipëria në pjesë të ndryshme të Italisë.

TV KLAN