Policia italiane ka arrestuar 17 persona në Palermo, të akuzuar për trafikim të armëve nga Ballkani drejt Italisë. Sipas mediave italiane, bëhet fjalë për një organizatë kriminale të lidhur me Cosa Nostra.

Kjo organizatë kishte lidhje me një grup të quajtur “UÇK” të shqiptarëve në Maqedoni. Grupi kriminal ka zhvilluar aktivitetin e saj edhe në Sondrio, Como, Pordenone, Siena, Zvicër, Gjermani, Maqedoni dhe Kosovë. Hetimi kishte nisur në Dhjetor të vitit 2016, kur po mbahej nën monitorim një shqiptar nga Maqedonia, i quajtur Fatmir Ljatifi. Ky i fundit ka rezultuar përgjegjës për tregtimin e armëve luftarake të përdorura gjatë luftës së Kosovës.

Në mesin e armëve të trafikuara janë kallashnikovë, bomba, armë luftarake dhe armë të kalibrit të rëndë. Një nga blerësit e armëve është edhe njëri prej personave që morën pjesë në konfliktin e armatosur në vitin 2015 në Kumanovë të Maqedonisë. Nuk dihet nëse të arrestuarit janë shqiptarë. Detaje të mëtejshme për këtë operacion policor, do të jepen gjatë orëve në vijim.

/tvklan.al