Këto filmime janë kryer vetëm pak momente pas rënies së një avioni ushtarak në jug të Filipineve, një tragjedi që i mori jetën të paktën 45 personave, teksa 50 persona janë nxjerrë të gjallë nga mbetjet e mjetit fluturues.

Ngjarja ndodhi rreth orës 11 e gjysmë me orën lokale pak kilometra larg qytezës së Jolosë. Avioni ushtarak i transportit me më shumë se 90 persona në bord, nuk arriti të kryente uljen në pistën e aeroportit të vogël ushtarak. Ulja e pakontrolluar ndodhi disa metra larg saj, në një zonë pyjore, pranë një lagjeje të banuar.

Shkaqet e tragjedisë janë ende të paqarta. Autoritetet përjashtojnë për momentin mundësinë e një sulmi nga rebelët ekstremistë islamikë të zonës, ndërsa dyshojnë për një defekt, si shkak të tragjedisë.

Avioni i tipit Lokhid Herkules C-130 transportonte trupa ushtarake nga qyteza e Kagajan de Oros në ishullin jugor të Mindanaos, drejt ishullit tjetër në jug Jolo.

Tv Klan