Kjo nismë vjen pasi pjesa më e madhe e qytetit lindor të Ukrainës ka ndërprerje të vazhdueshme të energjisë

Disa trena në Kharkiv janë shndërruar në kioska, ku banorët kanë mundësi të konsumojnë një vakt të ngrohtë. Kjo nismë vjen pasi pjesa më e madhe e qytetit lindor ka ndërprerje të vazhdueshme të energjisë nga sulmet ruse që vijojnë të godasin infrastrukturën energjetike. Vullnetarët shpërndajnë rreth 10,000 vakte në ditë.

Sulmet, më i madhi prej të cilëve erdhën të premten e javës së kaluar kanë shkaktuar dëme të mëdha në objektet e gjenerimit dhe transmetimit.

“Pas 22 marsit, kur armiku kreu sulme në rajonin e Kharkiv, administrata ushtarake rajonale e Kharkivit na kërkoi ndihmë për shkak të ndërprerjeve të energjisë elektrike. “Treni ynë ushqimor” erdhi këtu për të mbështetur rajonin, përkatësisht spitalet, konviktet për personat e zhvendosur brenda vendit.”

Në qytetin kufitar verilindor të Kharkiv dhe pjesë të rajonit juglindor Zaporizhzhia, 200,000 banorë kanë mbetur pa energji elektrike që nga sulmet e së premtes së kaluar.

Personat e zhvendosur brenda vendit që i shpëtuan luftimeve në rrethet lindore të rajonit të Kharkivit thanë se ishin mirënjohës për ushqimet e ngrohta të ofruara nga hekurudhat ukrainase pasi nuk mund të përgatisnin ushqim në sobat e tyre elektrike.

“Meqë nuk kemi energji elektrike, ne mbështetemi te ndihma. Na sjellin ushqime dhe falënderoj organizatat që na mbështesin dhe nuk na lënë vetëm në ankth. Gjithçka është në rregull tani.”

“Ne shpërndajmë ushqime për banorët për të katërtën ditë radhazi. Atyre iu ofrojmë ushqime të ngrohta, si pjatë të parë dhe të dytë.”

Volodymyr Kudrytsky, kreu i Ukrenergo, operatori i vetëm i linjave të transmetimit të tensionit të lartë të vendit tha në se kompania kishte një plan për të rivendosur furnizimin me energji brenda dy javëve të ardhshme, me kusht që të mos ketë sulme të mëtejshme nga Rusia.

“Është ende e vështirë për të garantuar ndonjë afat kohor, por ne po flasim për një periudhë 7-10 ditë, ndoshta dy javë kur mund të rivendosim furnizimin normal me energji elektrike në qytet. Shpresojmë që të mos ketë shkatërrim të ri.”

Moska ka thënë se objektet e energjisë ukrainase janë objektiva legjitime dhe sulme të tilla kanë për qëllim dobësimin e ushtrisë së Kievit.

Klan News