FKrujeDy ngjarje kriminale që kërcënojnë rëndë rendin dhe sigurinë publike, u shënuan gjatë orëve të mbrëmjes dhe mëngjesit, njëra në Kamëz dhe tjetra në Fushë Krujë.

Një sasi tritoli ka shpërthyer rreth orës 2 të mëngjesit të sotëm në banesën e shefit të Policisë së Burgut të Sigurisë së Lartë të Fushë Krujës, Lulzim Haxhia, e cila ndodhet në Kamëz.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, lënda plasëse ishte vendosur para portës hyrëse të banesës së Haxhisë. Në momentin e shpërthimit, pjesëtarët e familjes së kryepolicit të burgut ndodheshin në gjumë dhe fatmirësisht nuk kanë pësuar asgjë, ndërsa dëmi material është i konsiderueshme .

Policia e mbërritur në vendngjarje, pasi siguroi provat e nevojshme për hetimin e ngjarjes, deklaroi se nga për arsye sigurie ka marrë nën mbrojtje Haxhinë dhe familjen e tij.

Ndërkohë, do të jetë Prokuroria e Krimeve të Rënda që do të drejtojë deri në zbardhjen e çështjes hetimin e krimit.

Disa orë më herët, kësaj rradhe në Fushë Krujë është sulmuar posta e Policisë së këtij qyteti. Rreth orës 19 të mbrëmjes së kaluar, persona ende të paidentifikuar kanë hedhur në oborrin e objektit një sasi të vogël eksplozivi. Nga shpërthimi mësohet se ka pasur vetëm dëme materiale, në të paktën një automjet të policisë. Sipas uniformave blu, personat që mendohet se e kanë kryer këtë krim, janë larguar menjëherë nga vendngjarja dhe po punohet intensivisht për identifikimin dhe kapjen e tyre të shpejtë, si dhe për zbardhjen e motiveve të këtij sulmi.