Analistët: Simbolizoi triumfin në zgjedhje

Presidenti amerikan, Donald Trump surprizoi rreth 100 mijë të pranishmit, në pistën e Dajtonës në Florida, kur u shfaq si komandant i garës NASCAR e famshme në të gjithë botën.

 “Bisha” e tij, siç preferon t’a quajë automjetin presidencial të tipit kadillak, sëbashku me autokolonën që e shoqëronte kryesuan xhiron e parë të garës.

Shefi i Shtëpisë së Bardhë shoqërohej në limuzinën e blinduar presidenciale, edhe nga bashkëshortja Melani. Asnjë president amerikan nuk e kishte kryesuar ndonjëherë këtë garë, veç Ronald Reganit dhe Xhorxh Bushëve, babë e bir, që kanë qenë të pranishëm në ceremonitë hapëse.

Analistët politikë amerikanë, e komentojnë këtë veprim të Trumpit si një akt triumfatori, pasi doli fitimtar në procesin penal të nisur nga demokratët në kongres, ku ai rrezikoi të humbte postin.

Po ashtu, duke qëndruar në krye të garës, Trump synon të japë mesazhin se do t’a fitojë betejën për një mandat të dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë. Ethet e fushatës elektorale, në Shtetet e Bashkuara tashmë kanë nisur dhe shteti federal i Floridës pati rol vendimtar në zgjedhjen e Trumpit president në 2016-ën.

Tv Klan