Gjatë një konference shtypi në Shtëpinë e Bardhë mbi rezultatet e zgjedhjeve të 6 Nëntorit, Jim Acosta e pyeti presidentin rreth karvanit të emigrantëve nga Amerika Qendrore që duan të kërkojnë azil në SHBA.

Presidenti Trump e ndërpreu menjëherë gazetarin.

Kur presidenti u përpoq t’i jepte fjalën një gazetari tjetër, Acosta refuzoi të lëshonte mikrofonin dhe e pyeti zotin Trump për ngritjen e mundshme të akuzave kundër Presidentit nga Prokurori i Posaçëm Robert Mueller.

Zoti Trump i tha gazetarit të “lëshonte mikrofonin”, por korrespondenti i CNN-it refuzoi.

Më në fund gazetari hoqi dorë nga mikrofoni dhe u ul, por Presidenti filloi ta qortonte atë nga podiumi.

“CNN duhet të ketë turp për faktin që ju punoni për të. Jeni njeri i vrazhdë, i tmerrshëm. Ju nuk duhet të punoni për CNN”, tha zoti Trump.

Presidenti më pas i kërkoi një gazetari tjetër të bënte pyetje, korrespondentit të rrjetit NBC News, Peter Alexander, i cili i doli në mbrotje Acostës.

“Ai është një gazetar i zellshëm që punon shumë si të gjithë ne,” tha Alexander.

“Atëherë po ju them se nuk jam as tifoz i madh i juaji,” tha zoti Trump.

Më pas, gazetari Acosta u ngrit dhe filloi t’i fliste presidentit pa mikrofon. Presidenti u përgjigj: “kur ju raportoni lajme të rreme, gjë që CNN-i e bën shumë, ju jeni armiku i popullit”./VOA