“Stop” zbardh profilin e Giuseppe Zito

Në pjesën e dytë, emisioni “Stop” transmetoi këtë të martë rastet e dy qytetarëve sesi ishin mashtruar nga një kompani që pretendonte se do u gjente punë jashtë vendit.

Në një kompani tjetër të quajtur “Akademia Europiane sh.p.k”, (European Academy), emisioni “Stop” dërgoi të infiltruarin e saj. Para se të fillonte punë, i infiltruari pagoi mbi 300 euro.

Por para se të shkojë në Itali, kompania i kërkon qytetarit, që të ndjekë një trajnim 4 ditor për kujdestar social. Për këtë, ai do të paguante 210 euro.

Qytetari: Do bëj ndonjë kontratë unë për atë, apo?

Qytetari: Do bëj ndonjë kontratë për trajnimin?

Menaxherja: Po nesër, kur të bësh trajnimin, do bësh këto! Do lidhësh kontratën me agjencinë, do firmosësh!

Qytetari: Ta bëj në fillim?

Menaxherja: Po!

Qytetari: Sa lekë, sa euro duhet të jap unë tani?

Menaxherja: 220!

Qytetari: 220 apo 210?

Menaxherja: Atëherë një sekondë, të shikoj sa ke paguar! Po ke paguar 150! 210! Më fal! 210!

Qytetari: 2,4,6,8,10,12,14,16,18,20

Menaxherja: Mos bërtit shumë!

Qytetari: 21! Ja numëroji!

Menaxherja: Ja një sekondë! Hidh firmën këtu! Nesër në 9!

Qytetari: Në 9, këtu! Ok! Faleminderit! Mirupafshim!

Por vetëm një ditë më vonë, i infiltruar i “Stop” paraqitet në ambientet e kompanisë për trajnimin dhe firmos kontratën.

Qytetari: Ke faqen e fundit, ke firmën tënde këtu edhe kopjen tjetër.

I infiltruari: Ai italiani, s’erdhi?

Qytetari: Erdhi ai, na i la këto e iku.

Pas firmosjes së kontratës dhe pas përfundimit të trajnimit, i infiltruari i “Stop” shkon sërish në ambientet e kompanisë ku kërkon të shkojë në Itali sa më shpejt ashtu siç ishte rënë dakord më parë.

Qytetari: Si je ti?

Menaxherja: Mirë! Si kalove ti?

Qytetari: Mirë, shtyhemi! Po si do bëjmë?

Menaxherja: Me dokumentet je Ok! I ke sjellë të gjitha.

Qytetari: Po pra, i kam të gjitha, unë thjesht doja atë shpejtësinë, që thamë!

Menaxherja: Do të marr në telefon, kur të na thotë Andrea, se s’na ka komunikuar akoma asgjë!

Qytetari: Nuk gjen dot ndonjë zgjidhje, që të iki më shpejt unë, a nuk e di, se ta kam thënë njëherë!

Menaxherja: Më shpejt! Kur e ke shpejtësinë ti?

Qytetari: Po sa më parë, aq më mirë është!

Menaxherja: Po i bie të ikësh me vizë turistike!

Qytetari: Po pra, ne kemi bërë njëherë muhabet!

Menaxherja: Po pra po, vijnë presin shumë.

Qytetari: Më the në datën 16 Tetor të iki!

Menaxherja: Kur do të ikësh ti?

Qytetari: Kur biseduam bashkë, më the, që do mbarojmë trajnimin e në datën 16 Tetor, do ikësh!

Menaxherja: Po pra po, po ça të them unë?! Tani s’ka ai, se kupton? Janë me raste, del rasti, që është vakant edhe pastaj llogarit, që ti mund të ikësh!

Qytetari: Po diskutoje njëherë me atë!

Menaxherja: Gjithsesi unë do t’i them, do ta diskutoj dhe do të them! Të paktën bëjmë diçka brenda muajit!

Qytetari: Se më shtrëngojnë edhe mua ditët, hallet, këto gjërat, e ke parasysh, prandaj?…

Por erdhi Tetori e Nëntori dhe për punë në Itali as që flitej. I infiltruari i “Stop” interesohet për herë të fundit pranë kompanisë, por i përgjigjen, se është e pamundur, pasi janë shtrënguar gjërat. Pas vitit të ri është përgjigja tjetër, që i rezervohet qytetarit, që ka paguar për aplikim dhe trajnim.

Qytetari: Si kalove?

Menaxherja: Si je ti? Si kalon?

Qytetari: Ç’bëhet?

Menaxherja: Mirë! Punojmë!

Qytetari: Po pse s’na keni thirrur? C’bëhet?

Menaxherja: Po sepse, nuk ka ardhur ai, s’na ka lajmëruar.

Qytetari: Po për atë muhabetin tim, ç’bëre?

Menaxherja: Urdhëro?

Qytetari: Apo s’bëre ndonjë gjë?!

Menaxherja: Jo, jo! Nuk.., hë.., është shtrënguar pak puna, presim të bëhet tamam domethënë, të eci puna.

Qytetari: Po si do ia bëjmë?

Menaxherja: Kur të vijë kontrata, do ju themi!

Qytetari: Ajo kontrata mund të vonojë pafundësisht. Unë si t’ia bëj? Unë dua të iki! Unë të thashë që radhën e parë…

Menaxherja: Pafundësisht, po pra, unë e kuptoj, po tani s’kam gjë në dorë unë. Ca të them? Ca më thonë, bëj dhe ju them!

Qytetari: Po me kë të diskutoj unë më shumë, që të merrem vesh?

Menaxherja: Maksimumi unë mund të lë një takim me administratorin e agjencisë, që ishte atë ditë. Nuk e di, a e mban mënd dhe të flasësh me atë! Po të njëjtën gjë do të thotë. Nuk…hë…, atij i vijnë inspektoriati herë pas here te agjencia dhe ka frikë. Më kupton? Gjithsesi, në qoftë se do, po të lë një takim, ta pyes, kur është i lirë e të flasësh!

Qytetari: Ne bashkë folëm, e kemi lënë në datën 16 Tetor.

Menaxherja: Nuk e vë në dyshim, absolutisht! E di shumë mirë, po tani…

Qytetari: Është tejkaluar çdo afat e çdo gjë. Ca të them unë tani? Më kupton?

Menaxherja: Në ç’kuptim, të ka kaluar afati?

Qytetari: Për të ikur pra! Doja të ikja, që në datën 16! Unë ta thashë, që e kam me nxitim. Se edhe kështu, nuk shtyhet. Sa mund të pres unë? Të pres një muaj, dy muaj? Ta di dhe unë..!

Menaxherja: Po mbas Vitit të Ri, po njëherë…!

Nuk janë të paktë shqiptarët që janë mashtruar nga kompani të tilla.

Por kush është Giusepe Zito, administratori i “Akademisë Europiane”?

“Stop” zbardhi profilin e tij. Ai rezulton një person me precedentë të shumtë kriminalë në Itali. Ai ka disa kompani, e fundit një restorant i hapur javë më parë në Tiranë. Zito rezulton me të kaluar kriminale në Itali për faliment dhe mashtrim.

Ai është akuzuar edhe si truri i një grupi neo-nazist i së djathtës ekstreme që është përpjekur të projektojë një sulm terrorist me sfond nazist. Administratori italian është hetuar shumë herë se ka përdorur firma false në akte zyrtare dhe agresion ndaj zyrtarëve publikë.

Mashtrimi më i fundit daton një vit më parë ku për herë të dytë Zito ka hapur një palestër luksoze dhe pasi ka mashtruar klientët ka shpallur falimentin pa u dhënë atyre paratë mbrapsht.

Ai ka përdorur të njëjtin mekanizëm me një palestër tjetër duke i vjedhur paratë të gjithë atyre që kishin bërë abonimin vjetor dhe duke humbur gjurmët më pas.

Iu bëj një apel qytetarëve shqiptarë mos iu besoni shumë këtyre. Sigurisht ka edhe kompani që kanë çuar ndonjë shqiptar, sigurisht që janë dinjitoze, por kam shumë frikë t’u besoj sepse fakti që dëgjove siç tha ajo vajza ‘ne jemi në bashkëpunim me dhomën e tregtisë’”, tha drejtuesi i emisionit Saimir Kodra./tvklan.al