“Qeveria, braktisi fshatin. PD, 150 mln euro për daljen nga kriza”

Propagandë i ka cilësuar Lulzim Basha projektet e qeverisë të prezantuara nga Kryeministri Rama, duke e akuzuar për braktisje të zonave rurale. Nga Zall Bastari ku u takua me fermerë e blegtorë, kreu i opozitës tha se 1/3 e ekonomisë është në kushtet e Mesjetës dhe se paratë që duhet të shkonin për subvencione i kanë marrë njerëz të lidhur me pushtetin.

“Është e vërteta e 7 viteve të kësaj qeverie, braktisje totale, edhe ato pak para që i vendosin në buxhet për gjoja subvencione, në fakt i përfitojnë 3-4 miq të pushtetarëve të kryeministrit, të cilët janë ose grumbullues, ose njerëz të lidhur drejtpërdrejt me pushtetin, ndërkohë që fermerët në tërësi pavarësisht prej bindjeve politike pavarësisht prej gjeografisë së vendit janë prapa liste, në fakt nuk janë në listë fare.”

Krahas planit për të ndihmuar biznesin e vogël, Partia Demokratike ka në programin e saj ekonomik të parashikuara për fermerët 100 milionë euro, që do të shpërndahen në bazë të prodhimit, pa kufizime.

“Ka një kufizim idiot, një burokraci, që bëhet për të mos dhënë subvencione, që po nuk pate më shumë se tre dynym tokë, nuk merr dot subvencione, po nuk pate më shumë se kaq krerë, nuk merr dot subvencione. Rregulla të shpikura nga burokratë pa shpirt dhe të aprovuara nga politikanë pa lidhje me realitetin. Këto rregulla do të shfuqizohen.”

Basha premtoi se pas ardhjes së demokratëve në pushtet, qeveria e tij do të dedikojë 50 milionë euro në buxhetin e bujqësisë për infrastrukturën në zonat rurale.

Tv Klan