Akuzohet si porositësi i atentatit ndaj Gjon Menës. Në pranga edhe 2 kushërinjtë që vendosën tritolin

Tre janë autorët e dyshuar për atentatin me tritol të ndodhur paraditen e 9 Shkurtit në Kamëz, ku mbeti i plagosur Gjon Mena.

Në një njoftim për mediat, policia thotë se në pranga si porositësi i atentatit ka përfunduar 42-vjeçari Gjergj Cukali, i dënuar më parë për veprat penale të Rrëmbim personi, Vrasje me paramendim, Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike dhe Mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake. Ndërsa dy të tjerët janë kushërinjtë Enver J., 33 vjeç dhe Edmond J., 24 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.

“Nga grupi hetimor i ngritur posaçërisht për hetimin e kësaj ngjarje, janë sekuestruar prova materiale, si automjete dhe sende të tjera, të cilat kanë shërbyer për kryerjen e veprës penale dhe implikojnë drejtpërdrejtë autorët e saj, prova të cilat për shkak të sekretit hetimor nuk bëhen të ditura në këtë moment”, thotë policia në njoftim.

Makinës së Menës iu vendos rreth 100 gramë tritol. Shpërthimi ndodhi në momentin që ai hapi dyert me pult. Për pasojë Mena mori dëmtime në këmbë, duke mbetur i gjymtuar por pa rrezik pa jetën.

Por kush është Gjergj Cukali, i arrestuari i policisë për këtë ngjarje?

I konsideruar si “i forti” i rrugës “Myslym Shyri”, Cukali u arrestua në 2019-n si personi që ekzekutoi ish-policin Arben Bilali, pasi policia deklaroi se kishte siguruar prova shkencore që e lidhnin atë me vrasjen. Por 4 muaj më vonë, Gjykata e Apelit në Tiranë ndryshoi masën e sigurisë nga arrest me burg, në detyrim paraqitje me argumentin se provat e sekuestruara në vendngjarje nuk janë marrë në formën e duhur ligjore.

Pas rrëzimit të provës shkencore, Prokuroria nuk gjeti më të dhëna që mund ta implikonin Cukalin, duke pushuar hetimet.

Arben Bilali u ekzekutua me breshëri kallashnikovi mesditën e 30 Janarit të 2019-s, në kohën që po zbriste nga një makinë shumë pranë banesës së tij në zonën e Selitës në Tiranë.

Gjergj Cukali është një emër jo pak i njohur për autoritetet policore. Ai është arrestuar disa herë ndër vite për vepra të ndryshme penale./tvklan.al