“U largova për të shpëtuar”, zbardhet dëshmia e shoferit të Edmond Çekiçit



“U largova për të shpëtuar”, zbardhet dëshmia e shoferit të Edmond Çekiçit

15:58 20/03/2021

Policia e Durrësit ka zbradhur dëshminë e shoferit të Edmond Çekiçit, i cili ndodhej me të në makinë, kur ish-anëtari i bandës së Durrësit u ekzekutua paraditen e kësaj të shtune me breshëri plumbash.

Burime për Klan News bëjnë me dije se shoferit i Edmond Çekiçit, ka dëshmuar se viktima para se të ekzekutohej, ka shkëmbyer disa fjalë me autorët.

Pas vrasjes, ai tregon se është larguar për t’u shpëtuar plumbave dhe nuk ka mundur të identifikojë autorët e krimit.

“Nuk kam mundur të identifikoj autorët, u largova me shpejtësi për t’u shpëtuar plumbave”, mësohet të ketë thënë shoferi i Çekiçit.

40-vjeçari Edmond Koçi i njohur edhe si “Mond Çekiçi”, u qëllua me breshëri armësh në makinën e tij sapo doli nga banesa, rreth orës 08:40 në lagjen 16, pranë Drejtorisë Arsimore. Ai është një person me precedentë penalë, i njohur si ish-anëtar i bandës së Durrësit të Lulzim Berishës.

Autorët i kanë prerë rrugën me një automjet tip Benz me targa të vjedhura. Shoferi i viktimës ka dalë nga makina për të kërkuar sqarime, por në këtë moment autorët kanë hapur zjarr duke e lënë të vdekur në vend 40-vjeçarin.

Në vendim e ngjarjes ekspertët gjetën rreth 12 gëzhoja. Burime nga grupi hetimor thanë se autorët kanë qenë të pamaskuar dhe më pas janë larguar në drejtim të Sukthit ku kanë djegur makinën e tyre çka i ka bërë hetuesit të besojnë për një atentat të mirëorganizuar. Brenda në makinë ishte lënë edhe arma e krimit.

Menjëherë pas ngjarjes policia ngriti pika të shumta kontrolli në akset kryesore në drejtim të Tiranës dhe të Kavajës në përpjekje për të ndaluar autorët, por ende pa rezultat.

Edmond Koçi konsiderohej nga policia e Durrësit si person me rrezikshmëri. Ai është ndaluar dhe dënuar disa herë për akuzën e armëmbajtjes pa leje dhe kundërshtimit të forcave të policisë. Në Maj 2009, Koçi u dënua me 2 vite burg për këto akuza.

Pista kryesore ku janë përqendruar hetimet është e kaluara e viktimës, por edhe konfliktet e fundit që ai mund të ketë pasur. 2 muaj më parë, në 24 Janar, po në këtë zonë u ekzekutua në një atentat të ngjashëm Edmir Bregu, i njohur edhe si Ilir Kuçi, mik i ngushtë me viktimën e së shtunës.

Klan News







Të ngjashme