Kreu i shoqatës mjekësore të provincës Varese në veri të Italisë ka humbur betejën me koronavirusin.

Lajmi është konfirmuar nga ANSA, ndërsa njoftohet se Roberto Stella është ndarë nga jeta ditën e Martë, në një spital në Como, në Lombardi.

Mjeku 67 vjeçar punonte në një klinikë ambulatore në Busto Arsizio, në veriperëndim të Milanos, aty ku ai dhe kolegu i tij u infektuan me koronavirus.

Sakaq gjendja shëndetësore e kolegut të tij nuk dihet ende.

Stella ishte presidenti i Urdhrit të Mjekëve dhe Stomatologëve të Provincës Varese. Federata Kombëtare e Mjekëve të Përgjithshëm dhe Mjekëve të Italisë konfirmoi vdekjen e tij duke thënë se ishte një “humbje e madhe”.

“Vdekja e Roberto Stella është një humbje e madhe për mjekësinë e përgjithshme dhe më gjerë. Ai përfaqësoi përkushtimin dhe aftësinë e sakrificës së mjekëve dhe vdekja e tij përfaqëson thirrjen e të gjithë kolegëve që nuk janë ende të pajisur me pajisje mbrojtëse personale”./tvklan.al