U sekuestrohen prona me vlerë 3 milionë Euro vëllezërve Sallaku

Foto: Prokuroria Durrës

U sekuestrohen prona me vlerë 3 milionë Euro vëllezërve Sallaku

14:37 10/06/2021

Prokuroria e Durrësit dhe drejtoria e Hetimit Ekonomik në Policinë Kriminale kanë vendosur sekuestro preventive për disa prona me vlerë 3 milionë Euro që u përkasin vëllezërve Sallaku dhe shokut të tyre Rabi Kurti.

Hetimet për këtë çështje kanë zgjatur 3 vjet dhe hetuesit dolën në konkluzion se pronat janë përfituar nga veprimtaria kriminale në Itali e Gëzim Sallakut.

Ky i fundit pronat i ka regjistruar në emër të vëllait të tij Saimir Sallaku dhe Rabi Kurtit. Policia thotë se Gëzim Sallaku ka kryer veprimtari kriminale dhe është dënuar në shtetin italian nga viti 1999 – 2008.  

Njësia për Hetimin e Krimit Ekonomik në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, në vitin 2018, nisur nga disa transferta të dyshimta bankare të 3 personave të sipërpërmendur, ka filluar hetimin për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose të veprimtarisë kriminale”.

Vazhdon puna nga Njësia e Hetimit të Krimit Ekonomik e Financiar, për identifikimin e pasurive të tjera të këtyre personave dhe lidhjeve të tyre familjare dhe shoqërore.

Pronat mbi të cilat është vendosur sekuestro preventive janë:

– Sekuestro 100% të aksioneve të shoqërisë “GSA Sallaku” sh.p.k, me aktivitet “Import, eksport, tregti autoveturash, kamionësh etj”, me seli në Durrës, me ortak të vetëm dhe administrator shtetasin Gëzim Sallaku;

– 2 apartamente, në Durrës, në emër të shtetasit Gëzim Sallaku;

– 20.600 m2 sipërfaqe toke arë, në Durrës, në emër të shtetasit Gëzim Sallaku;

– 1000 m2 sipërfaqe toke truall, mbi të cilën janë ndërtuar 2 banesa me sipërfaqe 140 m2 secila, në Durrës, në emër të shtetasit Gëzim Sallaku;

– Një godinë banimi dykatëshe dhe 2 apartamente banimi, në Durrës, në pronësi të shtetasit R. K.;

-13 automjete të markave të ndryshme në pronësi të shoqërisë tregtare “GSA Sallaku”.    /tvklan.al     







Të ngjashme