“Unë atë gjë e bëra, o të shërohem o të vdes”



“Unë atë gjë e bëra, o të shërohem o të vdes”

17:04 01/06/2020

Një grua 79-vjeçare rrëfeu ditën e sotme në programin “Historia ime”, në TV Klan historinë e vështirë dhe tepër të dhimbshme të jetës së saj. Në moshën 16-vjeçare krej papritur ajo mbetet e paralizuar. Edhe pse ka kryer 13 operacione ende dhe sot është në një karrocë me rrota.

Dhimbja ka qenë e madhe për të dhe familjen e saj. Shkurte Hysenaj ishte aq e dëshpëruar në atë periudhë dhe kur ishte në spital vendos që të bëjë një mjekim që askush nuk e kishte bërë. Por vëllai i saj nuk ishte dakord për këtë gjë, pavarësisht kësaj, ajo e mori vendimin, shkrojti një letër në emër të vëllait dhe ja dha doktorit si konfirmim për të bërë mjekimin.

Atë ditë, ajo pëson vdekje klinike dhe këtë fakt, Shkurte nuk ia kishte treguar askujt nga familja e saj dhe e tregon për herë të parë në studio.

Mirela Milori: Sa operacione gjithsej ke bërë?

Shkurte Hysenaj: 13!

Mirela Milori: Çfarë të thanë mjekët? Çfarë ishte kjo që ndodhi?

Shkurte Hysenaj: As vetë nuk e di, as sot nuk kam diagnozë, vetëm invalide tetraplegjike. Edhe në Rumani kam qenë, edhe në Shqipëri. Çfarë nuk kam bërë.

Mirela Milori: Sa vjet ke në karrocë?

Shkurte Hysenaj: Në karrocë kam që në ’68, që më ka ardhur kjo karrocë nga Amerika.

Mirela Milori: Si e ke përballuar 63 vjet në situatë të tillë? Ku e ke gjetur këtë forcë të jetosh më shumë kështu, se sa në këmbë dhe ecje normale?

Shkurte Hysenaj: Kur kam qenë në Vlorë, ndenja 2 vjet, në atë kohë më vdiq babai im dhe nuk më treguan fare se isha e paralizuar. Nuk më treguan, më vonë më treguan, humbja e babait më mërziti shumë, se kam qënë shumë e lidhur me të. Kur në Vlorë dëgjoj që po flisnin personali, ka dalë një ilaç në Greqi dhe shërohen të sëmurët. Me sinqeritet më ishte mërzitur jeta, edhe thashë do ta provoj. E thirra doktorin dhe i thashë do ta bëj unë atë ilaçin. Jo tha nuk do ta bëj atë ilaç pa ardhur vëllai ose babai të firmosë. I thashë babai më ka vdekur, mirë tha le të vijë vëllai. I shkrova vëllait letër dhe më tha jo, kur nuk e ka operuar askush, ti nuk do ta bësh provë. Këtë histori nuk e di vëllai im, nuk e di askush në jetë, sot jam duke e treguar për herë të parë, i thashë doktorit, ma ka çuar vëllai me shkrim. E shkrova vetë dhe e fimosa vetë në emër të vëllait dhe vendosa t’i bëj. Më kthyen përmbys dhe më futën gjilpërë pas gjilpëre në shtyllën kurrizore, ishte prova e parë në Shqipëri. E mbaj mend shumë mirë momentin që po më bënin, më oshëtinin veshët, dëgjova një zhurmë shumë të madhe në vesh, pastaj kam bërtitur pa vetëdije. Pastaj nuk mbaj më mend asgjë, ka qenë ora 9 e 30 e mëngjesit. Kisha rënë në komë, kisha pësuar vdekje klinike.

Mirela Milori: Ti kalove në vdekje klinike mbasi u provua ky mjekim. Kur dole nga kjo gjendje?

Shkurte Hysenaj: Të nesërmen në orën 5!

Mirela Milori: Doje të vdisje apo e bëre për të jetuar? Për çfarë e more vendimin që ke bërë një gjë që motra jote, po e dëgjon për herë të parë, njerëzit e tu? Çfarë të ndodhi që e bërë këtë gjë?

Shkurte Hysenaj: Unë atë gjë e bëra, o të shërohem o të vdes, ky ka qenë qëllimi kryesor i imi./tvklan.al



Të ngjashme