Drejtori i shkollës 9-vjeçare punëson vëllain mësues

Emisioni “Stop” në Tv Klan ka denoncuar këtë të martë rastin e drejtorit të shkollës 9-vjeçare ‘Feride Begaj’ në Gorishovë të Fierit, i cili ka emëruar mësues në këtë shkollë vëllain e tij, por edhe bashkëshortet respektive

Bëhet fjalë për zotin Shkëlqim Demishaj, i cili është denoncuar edhe para disa muajsh nga emisioni “Stop”, pasi merrte prej 10 vitesh pagesën e transportit në mënyrë abuzive, edhe pse banon në këtë fshat prej më shumë se 60 vitesh.

Shkëlqim Demishaj ka qenë mësues në shkollën 9-vjeçare ‘Feride Begaj’, por ishte pezulluar nga puna për shkelje procedurale. Pas disa kohësh, drejtoresha e shkollës ulet në detyrë si mësuese. Për habi, në vend të saj emërohet drejtor pikërisht mësuesi i pezulluar, z.Shkëlqim Demishaj.

“Problematika me drejtorin e shkollës aktual zotin Shkëlqim Demishaj, është e hershme. Kolektivi është ndërtuar nga familjariteti. Zoti Shkëlqim Demishaj ka punuar me bashkëshorten mësuese, njëkohësisht dhe z.Amid Demishaj, vëllai i Shkëlqim Demishaj, ka qenë me bashkëshorten në punë. Pra, përbënin familjariteti. Këtë pikë e kam kërkuar në DAR Fier tek ish-drejtori zoti Shkëlqim Hallkaj, që të ndërhynte për zgjidhen e kësaj problematike. Por që problemi nuk u zgjidh asnjëherë. Me veprimet e pahijshme të drejtorit aktual zotit Shkëlqim Demishaj në korridoret e shkollës…Veprime që nuk i kanë hije një mësuesi dhe asnjë njeriu të thjeshtë. Nuk di të them sepse ndoshta mund të ketë qenë dhe i dehur, por veprime që të lënë pa fjalë. E kam raportuar në DAR Fier me shkresë zyrtare, e kam pezulluar mësuesin në atë kohë bazuar në dokumente dhe në shkresa zyrtare i kemi filluar procedurat për zgjidhjen e kontratës së punës bazuar në Kodin e Punës, bazuar në kontratën kolektive të punës. Pra mbi gjithë legjislacionin e arsimit parauniversitar. Edhe pse mori të gjitha njoftimet që shkolla 9-vjeçare ‘Feride Begaj’ Gorishovë i filloi procedurat për zgjidhjen e kontratës, ky mësues si për çudi transferohet në shkollën 9-vjeçare Cakran me detyrë nëndrejtor. Asnjë procedurë e rregullt ligjore nuk është bërë. Asnjë vlerësim nga drejtori i shkollës që të merrte ky mësues për t’u paraqitur në shkollën ku u emërua. Pra, asnjë gjë. Është një pikëpyetje e madhe”, thotë ish-drejtoresha e shkollës 9-vjeçare.

Gazetari i emisionit “Stop” udhëtoi drejt fshatit Gorishovë. Aty mësoi se drejtori Shkëlqim Demishaj ka punësuar mësues vëllanë e tij, Amid Demishaj, edhe pse lidhje të tille nepotike janë të ndaluara.

Gazetari: Ju jeni drejtor i kësaj shkolle?

Drejtori: Po!

Gazetari: Ti je drejtor, vëllai jot mësues. Lejohet?

Drejtori: Atë mund ta zgjidhësh te institucionet përkatëse.

Gazetari: Po çfarë ta zgjidh, unë të pyes ty si drejtor dhe normalisht duhet të dish abc-në… Vëllai juaj punon mësues këtu?

Drejtori: Po!

Gazetari: Si ka mundësi?

Drejtori: Ka mundësi, zgjidhe ti.  

Gjatë komunikimit të gazetarit me drejtorin Shkëlqimin Demishaj, ndërhyn edhe një mësues tjetër, që mesa duket është vëllai i drejtorit. Zotëria në fjalë është Amid Demishaj, por kur pyetet nga gazetari thotë se është mësues i shkollës dhe jo vëllai i drejtorit. Gjatë komunikimit të tij të shkurtër me gazetarit, kuptohet që zotëria në fjalë mund të jetë në gjendje të dehur.

Gazetari: Mos ndërhyni! Kush jeni ju?

Amid Demishaj: Unë mësuesi i shkollës.

Gazetari: Jeni vëllai?

Amid Demishaj: Jo, jo. S’jam vëllai i zotërisë, jam një mësues i thjeshtë. Do thërrasim policin…

Gazetari: Po ti je i dehur more zotëri…

Amid Demishaj: Ç’a thua? Unë i dehur? Hajde shpejt tek policia!

Pas këtij episodi, gazetari takohet sërish me mësuesin Amid Demishaj, vëllain e drejtorit të shkollës. Ai nuk pranon që është emëruar në detyrë në shkelje nepotike, duke këmbëngulur se është mësues dhe jo vëlla i drejtorit.

Gazetari- Po ti qënke vëllai i drejtorit.

Amid Demishaj – Jo, s’jam i vëllai i drejtorit.

Gazetari- Po ty s’të lejohet të punosh me tët vëlla në një vend pune!

Amid Demishaj – Kush të tha ty, që s’më lejohet mua…?!

Gazetari- Po Kodi Civil, nepotizmi mo, zotëri!

Amid Demishaj – Meritokracia dhe jo militantizmi, mo çun!

Gazetari- O zotëri! Nuk lejohet! Shko në një shkollë tjetër, nuk lejohesh, prandaj ti…,ti qënke i vëllai i drejtorit, prandaj ndërhyre qëparë.

Amid Demishaj – Jo, jo! S’jam i vëllai i zotërisë, jam një mësues i thjeshtë.

Gazetari- S’je vëllai i drejtorit?

Amid Demishaj – Mësues jam, ore…

Gazetari- S’je vëllai i drejtorit?

Amid Demishaj – Ore, si jam unë këtu, ore…?

Gazetari- O zotëri! Si të quajnë?

Amid Demishaj – Nuk jam para organeve…

Gazetari- Njëherë na bëhesh ti drejtor, njëherë vëllai jot! Hajde, hajde…

Amid Demishaj – Po e meritove, bëhesh edhe 1000 herë!

Gazetari- Në një shkollë nuk lejohet, që të punojë vëllai me vëllain.

Amid Demishaj – Të lutem! Unë kam 35 vjet…

Gazetari– Shumë mirë! Shko gjej një shkollë tjetër, ose të ikë vëllai tënd në një shkollë tjetër, sic ka ikur!

Amid Demishaj – Ku?

Gazetari- Si ku, ku?

Amid Demishaj – Pse ju ka ardhur për drejtoreshë njeriu?…

Gazetari- Ç’lidhje ka? Na ka ardhur, mo zotëri! Je në shkelje! Je në shkelje!

Amid Demishaj – Ik gjeje në Drejtori të Arsimit! Mos je ti i tillë, si ata, por unë jo!

Gazetari- O zotëri! Mund të jesh shumë i kualifikuar, mund të jesh karrierist në atë çfarë jep biologji, a çfarë jep, por je në shkelje. Nuk të lejohet vëllain ta kesh drejtor dhe vetë të jesh mësues.

Amid Demishaj – Mësues më lejohet, se kam 35 vite mësues unë këtu.

Gazetari- Le të kesh mo, zotëri! Të të gjejnë një vend tjetër, ose të të nxjerrin në reformë!

Amid Demishaj – Drejtori u emërua nga organet kompetente. Po unë pse do iki?

Gazetari – Puna jote, problemi jot, kjo të ra…

Amid Demishaj – Unë kam zanatin, s’kam, pse të iki unë.

/tvklan.al