Kur vjen në jetë një fëmijë, gëzimi është i madh, por njëkohësisht kjo shoqërohet edhe me përgjegjësi të mëdha. Për fëmijën e parë, ardhja në jetë e një motre apo e një vëllai shoqërohet shpeshherë edhe me një “xhelozi” sepse ata humbasin vëmendjen e prindërve. Edhe vogëlushja Jusra ka të njëjtin problem, pas ardhjes në jetë të motrës së saj gjërat kanë ndryshuar. Ajo e ndjen veten të lënë mënjanë dhe për këtë arsye ka ftuar në studio dajën e saj dhe ka një kërkesë për të.

Ardit Gjebrea: Sa vjeç je ti?

Jusra: Jam 10, në 3 Shkurt mbush 11.

Ardit Gjebrea: Çfarë ka ndodhur?

Jusra: Le të themi, unë kam qenë mbretëresha për 10 vjet, pra kam qenë një fëmijë i vetëm. Doja të kisha një motër ose një vëlla dhe ia kërkoja mamit. Mami e shtynte, të flasim, të flasim.

Ardit Gjebrea: Pra ti je fëmija i parë?

Jusra: Po, unë jam fëmija i parë, derisa një ditë ishte ora 7 ose 8, mami më tha do bëhesha me një motër ose vëlla. Unë në atë moment mendova se ajo po bënte shaka dhe i thashë: U bë e vjetër kjo gjë. Kur e mora vesh që ishte e vërtetë, isha shumë e emocionuar.

Ardit Gjebrea: E vije kokën tek barku i mamit?

Jusra: Po gjithë kohës, e puthja, i flisja, mezi prisja momentin kur të mësoja që do ishte vajzë apo djalë.

Ardit Gjebrea: Po pastaj kur e mësove?

Jusra: Na thanë që ishte vajzë. Babi u mërzit pak, por…

Ardit Gjebrea: Po pse?

Jusra: Se do donte djalë.

Ardit Gjebrea: Unë kam një informacion, se deri në momentin e fundit, babi për ty e dinte që do ishe çun?

Jusra: Po është e vërtetë, sepse në ekografi unë kam dalë gabim, kam dalë djalë.

Ardit Gjebrea: Si ke dalë gabim?

Jusra: Domethënë ka gabuar doktori, ka menduar se isha djalë, por unë isha vajzë.

Ardit Gjebrea: Tani vijmë tek motra jote? Ngado që të shkojmë, tek ty do që kthehet biseda.

Jusra: Po normale.

Ardit Gjebrea: Si e ka emrin motra?

Jusra: Naja. Kuptimi i saj është i ri ose e re, por në kuptimin origjinal është shpëtim.

Ardit Gjebrea: Tani çfarë ndodhi?

Jusra: Ishte diçka vërtet shumë e bukur për mua, por ja që na ndryshuan pak gjërat.

Ardit Gjebrea: Po si ndryshuan?

Jusra: Po ja, që daja po përkushtohej tani tek motra ime, fliste shumë pak me mua, fliste më shumë për motrën time. Para se të lindte Naja, ne kishim një lidhje shumë të fortë me njëri-tjetrin.

Ardit Gjebrea: Ti sot dajën ke thirrur apo jo?

Jusra: Po dajën kam thirrur dhe dua si të hakmerrem, në thonjëza.

Ardit Gjebrea: Po ja bën dhuratë për ditëlindje, se daja ka sot dhe ditëlindjen?

Jusra: Po, ka dhe sot ditëlindjen.

Ardit Gjebrea: Çfarë ndodhi me ty dhe me dajën?

Jusra: Ja që po shiheshim më pak, po dilnim me njëri-tjetrin më pak. Kishim qejf të bënim selfie bashkë.

Ardit Gjebrea: Po tani?

Jusra: E ka mendjen të bëjë selfie me Najën, a hëngri Naja, a i dhëmb barku Najës, si ishte sot Naja, gjëra të tilla?

Ardit Gjebrea: Sa muaj ka që ka lindur Naja?

Jusra: 3 muaj. Unë dua t’i rikujtoj dajës, se ai më ka bërë dhe një premtim mua. Ai më ka premtuar se do më mësojë dhe biçikletën mua, ma ka premtuar që 9 vjet dhe tani besoj se ka harruar fare.

Daja i Jusrës, Denisi vjen në studion e “Ka një mesazh për ty” dhe i pyetur nga Arditi se cilën prej mbesave do më shumë, ai thotë se nuk mundet dot t’i ndajë sepse të dyja janë gjithçka për të.

Jusra menjëherë fillon nga ankesat që ka për të dhe daja i premton se do i mësojë edhe biçikletën. Ai kishte ditëlindjen dhe kolegët e punës e surprizojnë live në studio./tvklan.al