Klasi, finesa, emocionet, duartrokitjet, suksesi kanë shoqëruar dje koncertin në fund të vitit. Një superproduksin i televizionit Klan dhe manifestim i filmuar nga producentët, Vera Grabocka dhe Ardit Gjebrea, ka sjellë në skenë artistë të dashur dhe të preferuar për publikun shqiptar.
Elsa Lila, pas një viti produktiv me prezencën në Festivalin e Sanremos, Vikena Kamenica për të mbyllur sezonin e rendesishëm koncertal 2003 dhe Olen Çezari me virtuozitetin e tij dhe para spektatorit tonë.

Pallati i Kongreseve spektakolar është ngrohur mbrëmë nga notat e melodive të ekzekutuara me mjeshtëri nga orkestra filarmonike e Akademisë së Arteve nën drejtimin e Maestro Ermir Krantja.
Repertorë nga e gjithë bota, me pjesë të të gjitha zhanreve muzikore nga klasikët e mëdhenj si Strauss, Šuman, Ofenbach dhe kompozitorët bashkëkohorë, Piazzolla, Feliciano, e deri tek autorët shqiptarë si Prodani dhe Dizdari, i kanë dhënë mbrëmjes së djeshme vlera, nivel teë padiskutueshëm dhe luksin e një spektakli, me një auditor shik, duke i hapur rrugën festës së Vitit të Ri, ku protagonistë kanë qenë jo vetëm artistët në skenë, por edhe publiku, i cili ka duartrokitur dhe shoqëruar në çdo numër artistik.

Nje finale e nxehtë nën violinën e mrekullueshme të Olen Çezarit, interpretimet live të artisteve, Lila dhe Kamenica, në një udhëtim muzikor, nga Amerika Latine në Europë, ku personazhe janë bërë edhe fëmijët e vegjël të baletit, të cilët kanë kornizuar spektaklin e mbrëmshëm.

“Vallëzim në fund të vitit”, pas koncertit të vitit të kaluar, gjithashtu i ideuar dhe realizuar nga Grabocka dhe Gjebrea, krijon kështu një traditë të veçantë. Ky spektakël, i programuar për teleshikuesit në mbrëmjen e 31 dhjetorit, ishte epilogu i një viti tepër produktiv dhe të suksesshëm për Televizionin Klan dhe mesa duket, që sot e tutje, publiku shqiptar do të këtë një mbrëmje koncertale festive në nderrimin e viteve./tvklan.al