Lajme Arkiva 2003

Poeti serb Vasko Popa është përkujtuar në një mbrëmje të veçantë të organizuar në lidhjen e shkrimtarëve dhe artistëve. Mbrëmja është organizuar nën kujdesin e shkrimtares shqiptare Diana Çuli , e cila i ka njohur të pranishmit me poezinë e këtij poeti.

Poezitë e Vasko Popës janë interpretuar nga autorët Vasjan Lami dhe Virginio Gazzolo ndërkohë që në këtë mbrëmje e cila i është dedikuar poezisë dhe funksioneve të saj në promovimin e paqes kanë përshëndetur edhe sopranoja Artemisa Repa dhe pianisti dhe kompozitori Robert Radoja.

Valltari i njohur shqiptar Besim Zekthi është nderuar nga presidenti i republikës me çmimin “Mjeshtri i madh”. Këtë çmim ky valltar me një karrierë të madhe dhe të gjatë artistike në ansamblin e këngëve dhe valleve, e ka marrë me motivacionin për kontribut të lartë në stilimin e valleve shqiptare të të gjitha trevave dhe për meritat e tij në prezantimin e valleve shqiptare në botë.

Dekorata i është dorëzuar nga zëvendës ministri i Kulturës Halil Lalaj në një ceremoni ku merrnin pjesë emrat më të njohur të Ansamblit të Këngëve dhe Valleve, Teatrit të Operas dhe Baletit, miq dhe të afërm të valltarit të njohur i cili karrierën e tij artistike e ka nisur që në vitin 1954 dh ee ka vazhduar deri në vitin 1990 kur doli në pension./tvklan.al