VAR është sistemi që u ngrit për të vënë drejtësi por ndodh që edhe dështon. Një ndeshje e rëndësishme ishte ajo mes Tottenham dhe Chelsea për Kupën e Ligës në Angli, fatin e së cilës e përcaktoi video-arbitri. Harry Kane fitoi një 11-metërsh që vendosi fitoren për Tottenham.

Për pak minuta loja u ndërpre për të parë nëse ishte apo jo një vendim i drejtë ai i arbitrit për akordimin e penalltisë. Pamjet e analizuara tregonin kapitenin Kane në pozicion të rregullt, por duke i parë me vëmendje dukej qartë se sulmuesi ishte jashtë loje kur u dha pasimi drejt tij.

VAR gaboi, madje dështoi për të dhënë drejtësi. Vendimi i gjyqtarit kryesor si dhe i asistentit ishin kretësisht në drejtimin e kundërt. Ka insistuar për këtë trajneri i Chelsea, Maurizio Sarri, i cili ka dashur të rishohë edhe njëherë pamjet pas përfundimit të takimit.

“E pashë videon dhe Kane ishte offside por kjo nuk ka rëndësi. Arbitrat anglezë nuk janë gati për ta përdorur sistemin”.

Edhe trajneri i Tottenham nuk ishte dakord me VAR, megjithëse skuadra e tij përfitoi nga vendimi.

“Nuk më pëlqen. Nuk jam kundër teknologjisë por nuk dua të përfitojmë në këtë mënyrë”.

Chelsea do të ketë mundësinë e revanshit pas afro dy javësh.

Tv Klan