Varianti i ri i koronavirusit do të përhapet në të gjithë botën



Varianti i ri i koronavirusit do të përhapet në të gjithë botën

11:06 11/02/2021

Ekspertët britanikë paralajmërojnë se mutacioni i ri i koronavirusit Covid-19 do të përhapet në të gjithë botën. Sharon Peacock ka thënë për BBC se varianti britanik i Covid-19 që ka përfshirë të gjithë shtetin ishullor, me shumë mundësi do të ketë shpërndarje globale.

Mutacioni britanik i koronavirusit, që fillimisht u zbulua në Kent, deri më tani është përhapur në më shumë se 50 shtete. Për herë të parë u zbulua në Shtator 2020 dhe gjatë muajve në vijim u përhap masivisht në të gjithë Britaninë e Madhe e më pas edhe në shtete të tjera.

Ekspertët thonë se ky mutacion që ka pësuar Covid-19, ka rritur transmetueshmërinë e virusit. Kjo ka shkaktuar dyshime edhe tek efektiviteti i vaksinave anti-Covid, të cilat u krijuan duke u bazuar në variantin e parë të koronavirusit.

Megjithatë, shkencëtarët thonë se shumë prej këtyre vaksinave duket se funksionojnë edhe kundër varianteve të reja të Covid-19.

Në Shqipëri nuk është konfirmuar ende prezenca e mutacioneve të koronavirusit, edhe pse Ministria e Shëndetësisë ka deklaruar se kanë dyshime të arsyeshme që të jenë të pranishme. /tvklan.al







Të ngjashme