“Bashkia e Tiranës do kontribuojë në Tuz dhe Preshevë”

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim kryetarin e Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj. Në takim me homologun e tij, kryebashkiaku Veliaj tha se Bashkia e Tiranës do të kontribuojë në një prej parqeve qendrore të qytetit.

“Ne duam të jemi pjesë e suksesit tuaj, ndaj kemi vendosur që edhe në Tuz, por edhe në Preshevë, të bëjmë një financim për një park publik; pra, për një zonë qendrore të qytetit, si një dhuratë nga Tirana, si një mënyrë për të lënë një shenjë të përbashkët dhe për të qenë kontribues në suksesin tuaj”.

Ndërsa Kreu i Komunës së Tuzit, Nik Gjeloshaj, tha se gjimnazi “Arben Broci” në Tiranë do të binjakëzohet me gjimnazin e Tuzit.

“Ne kemi sot edhe një binjakëzim ndërmjet dy shkollave, gjimnazit të Tuzit dhe një gjimnazi këtu në Tiranë, dhe të gjitha këto janë mesazhe se jemi një dhe do të vazhdojmë bashkë në zhvillimin e vendeve tona”.

Për kryebashkiakun Veliaj, falë edhe krijimit të unionit të bashkive, vitet e fundit është rritur bashkëpunimi mes Bashkisë së Tiranës dhe komunave me popullsi shqiptare në Maqedoni, Serbi e në Mal të Zi.

Tv Klan