“Aeroporti i Rinasit të jetë i Tiranës”

Aeroporti i Rinasit duhet të jetë pjesë e Tiranës dhe jo e Fushë Krujës. Ky është propozimi që Kryebashkiaku Veliaj ka bërë në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, ku foli për projekt buxhetin e shtetit për vitin 2020, ku kërkoi rishikim të ndarjes territoriale.

“Reforma Fino-Çuçi ka adresuar 99.99 % të shqetësimeve megjithatë duke qenë se ishte voluminoze duhet të ketë një rishikim të korrektimit të kufijve. Nuk mundet Aeroporti Kombëtar i Shqipërisë, i Tiranës, të vazhdojë të jetë në Fushë-Krujë dhe nuk mundet rruga lidhëse të jetë në Vorë. Vetëm segmenti Qafë e Kasharit ku mbaron kufiri i Tiranës deri tek rrethrrotullimi i Rinasit ka 192 çarje të paligjshme në rrugë”.

Duke synuar që Tirana të jetë një nga kryeqytetet e para në Ballkan për numrin e autobusëve dhe të automjeteve elektrike, kryebashkiaku propozoi uljen e TVSH për to.

“Duam që të propozojmë TVSH-në zero për autobusët dhe automjetet elektrike. Pra nuk janë mjete që tashmë qarkullojnë dhe ti po i heq nga bilanci yt. Edhe pse Drejtoria Rrugore, tashmë ka dhënë incentiva për mjetet elektrike me zero ndotje. Besoj që do të ishte një risi në Ballkan, do ishim të parët që e bëjmë këtë punë. 

Ai kërkoi gjithashtu që Tirana të ketë një ligj të veçantë për kryeqytetin ashtu siç e kanë disa kryeqytete europiane.

Tv Klan