“Finalizojmë projektet për ngritjen e Qendrës Kulturore Shqiptare”

Kryebashkiaku i Tiranes Erion Veliaj është takuar në Athinë me homologun e tij Kosta Bakoyannis. I gjendur në Athinë, në kuadër të një simpoziumi të organizuar prej ish-kryeministrit George Papandreu, Veliaj u prit nga kryetari i bashkisë së Athinës, ku dakordësuan të punojnë në projekte të përbashkëta.

“Duam shumë që, ashtu siç ecëm në Tiranë me Parkun Helen, ashtu të vazhdojmë këtu me një qendër shqiptare të kulturës, për t’u siguruar që raportet i kemi konkrete. Për të gjithë bashkatdhetarët, ne do të kthehemi prapë në vjeshtë me një delegacion pak më të madh, për të finalizuar këto projekte, si qendrën e kulturës shqiptare, po ashtu edhe Kryeqytetin e Rinisë; ku do të kemi një axhendë të përbashkët mes dy qyteteve tona”.

Kryetari i Bashkisë së Athinës, Kostas Bakoyannis përshëndeti punën që po bëhet nga Kryebashkiaku Veliaj në krye të Bashkisë së Tiranës.

“Kur isha në Tiranë folëm për fillimin e një bashkëpunimi dhe një udhëtimi të ri, thelbësor, esencial, ndërmjet dy kryeqyteteve. Ai është këtu për të vazhduar rrugëtimin tonë të përbashkët dhe për të arritur rezultatet që duam. Mos harroni që ne kryebashkiakët vlerësohemi nga veprat, jo nga fjalët, por nga përmbajtja dhe produkti final”.

Në fund të takimit, Kryetari i Bashkisë Erion Veliaj i dorëzoi kryebashkiakut Bakoyannis “Kullën e Sahatit” të Tiranës, ndërsa homologu i tij i dhuroi një kravatë me simbolin e Athinës.

Tv Klan