Shqipëria nuk ka qenë kurrë më e njohur nga udhëtarët se sa tani. Kështu shkruan Joel Balsam, autor i kapitullit “Shqipëria” në librin udhërrëfyes “Ballkani Perëndimor”, i cili ka ndarë sugjerimet e tij për të vizituar disa nga pikat më turistike të vendit tonë, sipas “Lonely Planet”.

“Jam vetëm unë apo më duket sikur të gjithë po flasin për të udhëtuar në Shqipëri”, shprehet Balsam.

Plazhet e Adriatikut dhe Jonit të cilat kanë mahnitur çdo turist me ujrat e kristalta, Alpet Shqiptare që ofrojnë terren të përsosur ecjeje, arkitektura e mahnitshme antike e kanë bërë Shqipërinë destinacionin më ekonomik dhe jo vetëm, duke lënë pas Kroacinë, Greqinë dhe Italinë fqinje.

“Lonely Planet” shkruan se vendasit që do të hasni në Shqipëri janë të sinqertë, kureshtarë dhe mikpritës. Jo vetëm kaq, por në udhërrëfyes shkruhet se vendi i shqiponjave tani është kthyer në obsesionin e  Evropës me fluturimet e lira.

Nëse e vizitoni Shqipërinë duhet të qëndroni në Tiranë, kryeqyteti, ku mund të konsumoni ushqim dhe pije në restorantet dhe baret më të mira në Tiranë. Gjatë periudhës komuniste të Shqipërisë nga 1946-1991, lagjia e Bllokut u ndalua për publikun pasi shërbente si një rezidencë private për zyrtarët e partisë.

Kur revolucioni demokratik i Shqipërisë rrëzoi më në fund regjimin, portat e Bllokut u hapën dhe lagjja që atëherë është bërë një atraksion për shumë të rinj.

Sipas “Lonely Planet” ajo që ka tërhequr vëmendjen është veriu malor i vendit, duke filluar nga Shkodra. Qyteti artistik i studentëve është vendi më miqësor me biçikletat që kam parë në Evropën Lindore dhe një bazë e shkëlqyer për të eksploruar majat aty pranë.

Për tre ditë, ju mund të merrni një traget për në Valbonë, të ecni në një pjesë të shtegut të Majave të Ballkanit që lidh Shqipërinë me Kosovën dhe Malin e Zi dhe të zhyteni në burimet e “Syrit të Kaltër” në Theth.

Nuk lë pa përmendur pikat kryesore të Shqipërisë si “Bjeshkët e Nemuna”dhe qytetet historike, si Berati apo Gjirokastra ku mund të zbuloni historinë rreth shtëpive të lashta me çatitë e rënda prej guri, kalatë mbresëlënëse si dhe bunkerë të epokës komuniste.

Më në jug sipas udhërrëfyesit “Ballkani Perëndimor”, duhen vizituar plazhet e virgjëra, të kristalta dhe të pashkelura më parë nga turistët, si Saranda, Ksamili, Himara dhe Dhërmiu. “Nëse shkoni në Ksamil, mos humbisni Butrintin, një qytet grek dhe romak tepër mahnitës”, shkruan ‘Lonely Planet’.

Klan News