Brenda 1 jave kërkesat tejkalojnë parashikimet buxhetore

Janë 36 mijë e 419 biznese që kanë aplikuar pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve për të marrë pagën e luftës për punonjësit e tyre.

Numri total i punonjësve të këtyre sipërmarrjeve që kanë bërë kërkesë për mbështetje nga shteti shkon në 61 mijë e 120, duke kaluar që javën e parë numrin e pagave që planifikoheshin të jepeshin nga buxheti për bizneset e vogla dhe të vetëpunësuarit.

Sipas llogarive të Aktit Normativ të ndryshimeve në buxhet, numri total i punonjësve që do të përfitonin rrogën 26 mijë lekë ishte 60 mijë e 421 individë, brenda të cilëve edhe ata që ishin deklaruar si ndihmës me pagë 0 në biznesin familjar.

Buxheti ka llogaritur që efekti financiar për dhënien e pagave të kishte një kosto prej 46 milion eurosh për tre muaj.

Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve bën me dije se deri tani janë verifikuar aplikimet për 8412 biznese dhe 14 mijë e 348 punonjës, ndërsa për vetëm 75% tyre, ose 6273 ndërmarrje është miratuar ndihma financiare.

Jo të gjitha kompanitë me xhiro vjetore deri në 14 milion lekë mund të përfitojnë, por vetëm ato aktiviteti i të cilave ndalohet për shkak të masave të emergjencës.

Duke nisur prej ditës së martë, 10 mijë 592 punonjës do të kenë në llogaritë e tyre pagat e luftës, ndërsa do të vazhdojë verifikimi për kompanitë e tjera që kanë aplikuar.

Akti Normativ detyron Drejtorinë e Tatimeve që të mbyllë këtë proces brenda 10 ditëve pasi është bërë aplikimi i çdo biznesi.

Tv Klan