U dënua bashkë me Saimir Tahirin me 5 vjet burg për shpërdorim detyre

Para se të dorëzohej tek ish-kolegët e tij të Tiranës, ish-Drejtori i Policisë së Vlorës, Jaeld Çela, i shpallur në kërkim në Nëntor të vitit 2017, kishte përgatitur një letër publike, në të cilën mohoi akuzat e prokurorisë. Në letër ai shpjegon se përse zgjodhi jetën e arratisë, në vend që të shkonte në paraburgim, ku e prisnin njerëz të krimit, ndërsa thekson edhe njëherë pafajësinë.

“Prokurorët më donin “bashkëpunëtor” të ish-Ministrit Tahiri, ndërkohë që isha vartës dhe bashkëpunëtor në shërbim të Ligjit. Më kanë akuzuar si bashkëpunëtor të disa individëve që jo vetëm nuk i njoh dhe as parë ndonjëherë por që janë ndjekur penalisht dhe arrestuar kur unë isha nën drejtimin e Policisë së Qarkut Vlorë”.

Çela pranon se gjatë arratisë gjeti mbështetje nga miqtë e tij, mes të cilëve edhe qindra policë.

“Edhe po i falenderoj prokurorët pasi gjithë ai privim lirie që më detyruan të kaloj, shoqëruar me mbështetjen e njerëzve të mi, qindra punonjësve të ndershëm të policisë”.

Në Nëntor të vitit 2017, Jaeld Çela u shpall në arrati me dy zyrtarë të tjerë të policisë, Gjergj Kohila dhe Sokol Bode. Prokuroria i akuzoi asokohe si bashkëpunëtorë të grupit të Habiljave që trafikonin tonelata me kanabis drejt Italisë.

Në të njëjtin proces me Saimir Tahirin, ai u përball me akuza të rënda si “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”.

Çela u dënua për ‘Shpërdorim detyre’ me 5 vite burg, që për shkak të gjykimit të shkurtuar u reduktuan në 3 vite e 4 muaj burg.

Tv Klan