Këto janë momentet e fundit të Alma Arrazit dhe 3 fëmijëve të saj. Siç shihet në video, ora shënon 20:10 minuta. E para nga lokali buzë lumit Buna del 39-vjeçarja e cila ndiqet nga fëmijët.

Djalin 3-vjeçar dhe njërën nga vajzat i mban përdore. Ndërsa vajza tjetër i ndjek nga pas me një qese në dorë. Pas tyre del dhe kunata, me vajzën e saj. Teksa ndahen njëra prej vajzave puth me dorë kushërirën e vogël.

Alma sëbashku me të vegjlit largohen drejt Urës së Re të Bunës. Ndërsa kunata shihet me celular në dorë, duke qëndruar pak momente para lokalit.

Siç shihet në këtë video tjetër Alma me 3 fëmijët ecin qetësisht mbi Urën e Bunës. Në këto momente ora shënon 20:21 minuta, vetëm pak çaste përpara se ajo të hidhej bashkë me fëmijët në lumë.

Pas 3 ditësh kërkimesh policia mundi të gjejë të 4 trupat. Policia dhe prokuroria deklarojnë se shkak i vetëhedhjes së 39-vjeçares ka qenë dhuna psikologjike dhe tradhtia e bashkëshortit, Erdgys Arrazi. Ndaj tij gjykata ka vendosur masën e sigurisë arrest në burg.

Familjarët e 31-vjeçarit mohuan dhunën duke deklaruar se Alma vuante nga  problemet e shëndetit mendor. Por këto pretendime u rrëzuan nga shefi i shërbimit psikiatrik, i cili deklaroi se Alma nuk ka qenë e sëmurë kronike dhe se nuk ka pasur kartelë mjekësore.

Klan News