Sot pjesëmarrës në garën “Black Box”, rubrikës më të re tek “E diela shqiptare”, ishin dy shefa nga dy restorante shumë të famshëm në Shqipëri. Gatimet e tyre u vlerësuan nga juria e përbërë nga një prej shefave italianë më të famshëm të kulinarisë botërore, gjyqtar ndërkombëtar dhe instruktor i gjyqtarëve të garave të gatimit në botë, Domenico Maggi, si edhe dietologia Blerina Bombaj Troci.

 

Pjatat e gatuara nga shefat u vlerësuan në katër aspekte, shija, organizimi, aspekti estetik dhe ekuilibri ushqimor.

Rubrika vijoi me prezantimin e dy shefave, që ishin pjesë e garës, Ermal Lohja dhe Gledis Qershori. Përbërësi misterioz që ndodhej në “Black Box” dhe që shefat duhej të gatuanin ishte peshku kocë.

Rregullat e garës, të shpjeguara nga shef Maggi, anëtar i jurisë, konsistonin në marrjen e vetëm pesë përbërësve kryesorë nga secili prej garuesve. Secili prej tyre kishte vetëm tre minuta në dispozicion për të krijuar një recetë.

Shef Ermali zgjodhi të gatuajë peshkun të filetuar, me salcë aromatike xhinxheri, shoqëruar me perime dhe sufle perimesh. Receta e tij do të përmbante: peshk kocë, xhinxher, portokall, presh, karotë, spec, patate, erëza.

Nga ana tjetër, shef Gledis gatoi peshk kocë në avull, duke e shoqëruar me salcë speci. Receta e shef Gledisit përmbante: peshk kocë, yll kinez, spec i kuq, spec jeshil, borzilok, patate, brokoli.

Nën mbikëqyrjen dhe këshillat e jurisë të dy garuesit ekzekutuan pjatat e tyre në një hark kohor prej 30 minutash.

Në fazën e fundit, juria vlerësoi të dyja pjatat, për sa i përket shijes, organizimit, aspektit estetik dhe ekuilibrit ushqimor. “Black Box” u mbyll duke shpallur fitues shef Ermalin, me 93 pikë, me vetëm 1 pikë diferencë nga shef Gledisi./tvklan.al