Këto janë pamjet që vijnë këtë të hënë nga Elbasani. Gazetari Fatos Salliu raporton se një zjarr i madh ka rënë në vendgrumbullimin e skrapit te Uzina e Çeliqeve, që ndodhet në kombinatin metalurgjik të këtij qyteti. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar shërbimet zjarrfikëse, të cilat po punojnë për të vënë flakët nën kontroll.


Në një njoftim për mediat, policia e Elbasanit thotë se parapakisht shkak për zjarrin dyshohet të jetë bërë një shkëndijë e krijuar si pasojë e fërkimit të mbetjeve metalike.

“Rreth orës 11:15, dyshohet se nga një shkëndijë e krijuar si pasojë e fërkimit të mbetjeve metalike, ka rënë zjarr në një pikë për grumbullimin e skrapit, në zonën e ish-kombinatit metalurgjik, në Bradashesh. Nuk ka shtetas të dëmtuar nga flakët. Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe në bashkëpunim me shërbimet zjarrfikëse dhe me punonjësit e kompanisë që ka në pronësi pikën për grumbullimin e skrapit, kanë bërë të mundur zhvendosjen e mbetjeve, për të parandaluar përhapjen e flakëve dhe të tymit. Ndërkaq, grupi hetimor vijon të punojë për të dokumentuar ligjërisht shkakun e zjarrit”, thuhet në një njoftim për mediat.


Ndërkohë, gazetari i Klan News Fatos Salliu solli detaje nga kjo ngjarje.

-Cili mund të jetë shkaku? Pasi siç e thatë edhe ju kompania ka qenë në proces pune dhe si ka ndodhur ky shpërthim në mes të ditës?

Zakonisht mbetje të tilla të skrapit përmbajnë në vetvete edhe lëndë shpërthyese, madje edhe të themi municion luftarak sepse pavarësisht se kontrollohet nga kompania, në brendësi të metaleve të ndryshme mund të ketë edhe fishekë, bomba. Mund të ketë municione të ndryshme luftarake pasi edhe herë të tjera ka ndodhur që të ketë shpërthime të kësaj natyre. Madje edhe në furrat e shkrirjes ka patur shpërthime të predhave të cilat grumbullohen bashkë me skrapin dhe shpërthejnë si në fushën e depozitimit të skrapit, po ashtu edhe në furrat e shkrirjes. Pra mendohet që ka qenë shpërthim si pasojë e kontaktit ose presionit që mund të kenë pasur elementet të hekurit në vendin e depozitimit të skrapit në atë pikë grumbullimi, që ka shpërthyer dhe më pas fusha është përfshirë nga flakët dhe nga tymi. Nuk është hera e parë që ndodhin shpërthime të kësaj natyre, por kësaj radhe kaq qenë një shpërthim i fuqishëm i cili ka provokuar edhe flakët dhe zjarrin në këtë vend depozitim. E nënvizoj faktin që ka patur shpërthim të kësaj natyre edhe në furrat e shkrirjes.

-Ky duket që ka qenë një shpërthim i fortë dhe mund të rezultonte në pasoja katastrofike qoftë në njerëz apo dëme materiale. Ekspertët e hetimit ndodhen në vendngjarje?

Në vendngjarje ka mbërritur policia dhe grupi hetimor, i cili po administron provat në vendin e ngjarjes për të përcaktuar se cili është shkaku. Por paraprakisht dyshohet dhe mendohet se shkak i shpërthimit ka qenë pikërisht një predhë e cila pastaj ka provokuar edhe zjarrin. Theksoj faktin që godina të veçanta të kompanisë janë rrethuara dhe monitoruara rreptësisht edhe nga kamerat, po ashtu edhe masat e sigurisë teknike që zbatohen  në mjaft sektorë të kësaj kompanie. Megjithatë aktualisht këtu janë përqendruar hetimet, pra në shpërthimin e një predhe pasi në dëshmitë paraprake që arritëm të marrim në portën e hyrjes në afërsi të vend-depozitimit të skrapit, mësuam që ka qenë një shpërthim për shkak të një predhe luftarake e cila ka qenë bashkë me skrapin dhe pastaj ka provokuar edhe zjarrin./tvklan.al