Gjatë kësaj jave, në të gjithë vendin, Policia e Shtetit ka vijuar punën për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme, siç është parandalimi dhe goditja e vjedhjes së energjisë elektrike, ndërtimeve të paligjshme, prerjen e paligjshme të pyjeve, si dhe organizimin e lotarive të palejuara.

Për parandalimin dhe goditjen e vjedhjes së energjisë elektrike, në të gjithë vendin kanë vepruar në terren 80 grupe të përbashkëta, Polici – OSHEE.

Janë kryer 3.233 kontrolle dhe janë evidentuar 22 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 22 autorë.

Nga këta, 9 prej tyre janë arrestuar në flagrancë, 5 janë shpallur në kërkim dhe 8 të tjerët ndiqen në gjendje të lirë.

Në fushën e ndërtimeve të paligjshme, nga ana e Strukturave të Policisë së Shtetit, në të gjithë vendin janë evidentuar 31 raste të ndërtimeve pa leje.

Për këto raste janë proceduar 31 autorë nga të cilët, 7 janë arrestuar në flagrancë, 22 ndiqen në gjendje të lirë dhe 2 janë shpallur në kërkim.

Në kuadër të masave për parandalimin e prerjeve të paligjshme të pyjeve, në të gjithë vendin ka nisur operacioni “Roja e Gjelbër”.

Gjatë kësaj periudhe janë evidentuar 9 raste me 9 autorë, nga të cilët 2 janë arrestuar në flagrancë, 6 ndiqen në gjendje të lirë dhe 1 është shpallur në kërkim.

Ndërsa në fushën e organizimit të lotarive të palejuara, Policia e Shtetit ka evidentuar 8 raste me 8 autorë, nga këta 1 person është arrestuar në flagrancë dhe 7 të tjerë ndiqen në gjendje të lirë.

Edhe në javët në vazhdim, Strukturat e Policisë së Shtetit do vijojnë punën për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së paligjshme./tvklan.al