Ministri i Jashtëm: Dy shtetet kanë gënjyer për marrëveshjen, reagon edhe Britania

Ministri i Jashtëm francez, Jean-Yves Le Drian, ka akuzuar Australinë dhe Shtetet e Bashkuara se kanë gënjyer për një pakt të ri të sigurisë, që ka nxitur Parisin t’i thërrasë për konsultime ambasadorët e tij në këto shtete.

Ministri Le Drian ka akuzuar shtetet edhe për “shkelje të madhe të besimit”.

Marrëveshja, e njohur si Aukus, ka sjellë anulim të një marrëveshjeje disa miliarda Dollarë që Franca ka nënshkruar me Australinë.

Kryeministri australian, Scott Morrison, ka thënë se ai ka vepruar sipas interesave kombëtare të shtetit të tij.

Ai ka insistuar se qeveria franceze “ka pasur mundësi të dinte se marrëveshja me vlerë 37 milionë Dollarë, e nënshkruar në vitin 2016, “nuk do të përmbushte interesat tona strategjike”.

Ai shtoi se e kupton zhgënjimin e Francës, por secili komb sovran duhet të marrë vendime që janë në interesin kombëtar.

Marrëveshja e njohur si Aukus, në të cilën përfshihet edhe Mbretëria e Bashkuar, do t’i mundësojë Australisë që të ndërtojë nëndetëse me kapacitet bërthamor, si mënyrë për t’u përballur me ndikimin e Kinës në Detin e Kinës Jugore.

Sekretarja e Jashtme britanike, Liz Truss mbrojti qasjen e Londrës në marrëveshjen e mbrojtjes së nënshkruar.

“Kjo marrëveshje tregon gatishmërinë e Britanisë së Madhe për të qenë të vendosur në mbrojtjen e interesave tona dhe angazhimin për sigurinë dhe stabilitetin e rajonit Indo-Paqësor”, deklaroi ajo në një artikull të publikuar në “The Telegraph”.

SHBA-ja, Australia dhe Britania njoftuan të mërkurën një partneritet strategjik për të kundërshtuar Kinën, AUKUS, përfshirë furnizimin e nëndetëseve amerikane në Kanberra.

Pakti solli zemërim të Presidentit francez Emmanuel Macron, i cili tërhoqi për konsultim ambasadorët në Kanberra dhe Uashington duke lënë të hapur tensionin mes Francës, SHBA-së e Australisë.

Klan News