Vijon lufta ndaj informalitetit

Në kuadër të luftës kundër informalitetit, 76 ton kafe janë zbuluar në një magazinë në Vorë të padeklaruara. Nga detyrimi i munguar i akcizës në vlerën e 4.6 milionë Lekëve, subjekti do të duhet të paguajë një penalitet prej  18.4 milionë Euro. Ministria e Financave dhe Ekonomisë e shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Doganave gjatë inspektimit kundërinformalitet, tha se shkeljet më të mëdha vërehen në produktet e akcizës si karburanti, pijet alkoolike, kafja dhe cigarja.

“Ky plan operacional, i cili do të shtrihet gjatë gjithë muajit gusht për të gjithë produktet e akcizës, do të vazhdojë edhe në muajt e tjerë. Synon të evidentojë paligjshmërinë dhe në ato subjekte ku paligjshmëria është evidentonte, kuptohet që gjobat janë shumëfish dhe kjo gjobë nuk vlen për asnjë biznes, i cili vendos të punojë brenda rregullave të caktuara brenda Kodit Doganor”, tha ministrja e Financave, Anila Denaj.

Aksioni kundër informalitetit është përshëndetur edhe nga Kryeministri Rama i cili është shprehur se lufta kundër abuzuesve do të vazhdojë pa pushim dhe do të shtrihet në çdo magazinë doganore, për të gjitha produktet e “rënda” të akcizës.

Që prej muajit Korrik, Ministria e Financave ka nisur planin operacional kundër informalitetit në bashkëpunim edhe me doganën. Në fokus të këtij aksioni është lëshimi i kuponit tatimor, faturat dhe sigurimi i punonjësve nga ana e bizneseve. Në rast të shkeljes së ligjit, parashikohen gjoba deri në mbyllje të aktivitetit të subjekteve.

Tv Klan