Rimëkëmbja 1 miliard Euro, strehimi zë 76 %

Dy muaj nga tërmeti i 26 Nëntorit që goditi vendin tonë, del raporti zyrtar i dëmeve të shkaktuara. 985 milionë Euro janë dëmet dhe humbjet e shkaktuara nga tërmeti katastrofik. Rreth 86% të dëmeve dhe 14% të humbjeve janë regjistruar në sektorët e arsimit, shëndetësisë, strehimit dhe prodhimit.

“Raporti PDNA është hartuar sipas standardeve të tre organizatave, të Bashkimit Europian, Bankës Botërore dhe agjencive të Kombeve të Bashkuara dhe më të njëjtën metodologji që është përdorur edhe në rastet e fatkeqësive të tjera natyrore në botë. Krahas ngritjes së këtij sistemi, në kohë rekord u bë verifikimi i 50 mijë ndërtesave të cilat përbëjnë 80% të totalit të objekteve të dëmtuara nga tërmeti si dhe u verifikuan 100% ndërtesat me rrezikshmëri të lartë. Ndihmë të pakursyer dhanë edhe kryebashkiakët dhe paralelisht janë zhvilluar dhe 4 anketa në 3 qarqe për të evidentuar pasojat socio-ekonomike të familjeve dhe bizneseve. Ekspertët e angazhuar në këtë proces kanë vlerësuar dëme dhe humbje në shumën prej 985 milionë e 74 mijë e 906 euro. Megjithatë kur vjen fjala te vlera financiare vlen të theksohet se ky dokument nuk është shterues dhe do të shërbejë si udhërrëfyes për programin e rindërtimit”, tha ministri Bledi Çuçi.

“86% apo 843 milionë janë dëme dhe pjesa tjetër janë humbje në të ardhura. Efektet më të mëdha kanë qenë në sektorin e strehimit dhe më pas të prodhimit. 696.3 milionë Euro në strehim, 72.4 milionë Euro arsim. 86 % e dëmeve dhe humbjeve janë në sektorin privat dhe 14 % në atë publik”, deklaroi ekspertja e PDNA, Natalie Rodrigues.

Vlerësimi, i përgatitur bashkërisht nga Qeveria Shqiptare, Bashkimi Evropian, Kombet e Bashkuara dhe Banka Botërore, zbulon se nevojat për rimëkëmbjen arrijnë mbi 1 miliard Euro.

Strehimi përfaqëson pothuajse 76% të të gjitha nevojave, pasuar nga arsimi me 9 % dhe infrastruktura me 6 %. Por kjo rimëkëmbje do të jetë sfidë për qeverinë, pasi parashikohet një ngadalësim i rritjes ekonomike.

“Ngadalësimi i rritjes ekonomike e cila në vitin 2019 është 2.3 për qind nga 2.7 që e deklaroi më herët qeveria, ndërsa për vitin 2020 parashikon një rritje 3.2 për qind nga 4.1 që është në buxhet”, u shpreh Elvis Sulko nga Banka Botërore.

“Nevojat janë shumë të mëdha deri në 1 miliard Euro. Përsa i përket afateve për kontributet, është deri në datë 10 Shkurt. Konferenca e donatorëve do të udhëhiqet nga Von der Leyen. Për momentin mezi po presim që të realizohet aktiviteti. Ndërsa menaxhimi i donacioneve i takon qeverisë shqiptare për zbatimin e planit të rindërtimit”, tha ambasadori i BE në Shqipëri, Luigi Soreca.

Durrësi dhe Tirana kanë numrin më të lartë të banesave dhe institucioneve arsimore të dëmtuara. Janë 321 institucione arsimore të dëmtuara që kapin vlerën e 72.35 milionë Eurove. 55 % të tyre janë në Tiranë dhe 21 % në Durrës.

Tv Klan