Vllaznia kërkon të mbajë hapin e Tiranës kryesuese teksa ditën e sotme do të masë forcat me skuadrën tjetër të kryeqytetit, Partizanin. Në “Loro Boriçi” pritet të jetë një sfidë tepër e luftuar nga të dy ekipet, që synojnë të duelojnë deri në fund për titullin kampion në Superligën shqiptare.

Shkodranët janë në vendin e tretë dhe po kalojnë një moment të mirë, teksa nuk njohin humbje në katër duelet e fundit. Ndërkaq, Partizani gjendet në vendin e 7-të me dy pikë më pak, ndërsa ka grumbulluar 11 pikë në 5 ndeshjet e fundit. Përballja mes dy ekipeve do të luhet në orën 16:45.

Paralelisht në të njëjtën orë do të luhet edhe në Korçë mes Skënderbeut dhe Egnatias. ‘Djemtë e dëborës’ gjenden në zonën e ftohtë të renditjes me vetëm 8 pikë, teksa rrogozhinasit janë një pozicion më lart, në pozicionin që të dërgon në play-out në fundin e sezonit. Në stolin e Egnatias debuton dhe trajneri i ri, Zekerija Ramadani. Synimi i tyre është që të marrin një tre pikësh dhe të nisin shkëputjen karshi Skënderbeut. Skuadra korçare ka qënë në qendër të vëmendjes në sfidat e fundit për shkak të gjykimit të pretenduar kundër tyre. Sfida që mbyll javën e 12-të të Superligës luhet të enjten mes Kukësit dhe Laçit.

Klan News