Olsi Bibollari, që shfaqet në këtë foto u arrestua në prangat e policisë. 38-vjeçari akuzohet se vodhi 15 mijë euro në banesën e shefit të urgjencës së sëmundjeve të brendshme në QSUT. Ngjarja ndodhi në zonën e Komunës së Parisit të dielën e shkuar, më 25 Gusht.

Ishte pronari i banesës mjeku Hasani i cili bëri denoncimin në polici. Këqyrja e kamerave të sigurisë zbuloi autorin e vjedhjes, 38-vjeçarin Bibollari. Hetimet e policisë zbuluan se disa ditë para vjedhjes, mjeku dhe 38-vjeçari Bibollari u drejtuan për tek një noter për një kontratë borxhi mes tyre.

Sipas burimeve të policisë mësohet se shefi i urgjencës i dha borxh Bibollarit borxh shumën prej 50 mijë eurosh. Teksa janë kthyer sërish bashkë me automjetin e Olsi Bibollarit, mjeku Hasani ka harruar në automjet çelësin e apartamentit.

38-vjeçari sapo është ndarë me doktorin dhe është siguruar që nuk iu drejtua banesës, ka shkuar ne apartamentin e tij te Komuna e Parisit, ka hapur derën me çelës, dhe ka marrë 15 mijë euro.

Policia thotë se në shtëpinë e autorit, sekuestroi shuma parash të dyshuara nga ato që u vodhën në banesën e kardiologut. Po ashtu u sekuestrua një automjet si dhe veshjet që autori ka përdorur gjatë momentit kur ka hyrë për të vjedhur në shtëpinë e doktorit.

Olsi Bibollari rezulton biznesmen, i cili ka në pronësi restorante dhe lokale. Ai tashmë akuzohet për veprën penale të vjedhjes.

Klan News