Merret në pyetje edhe efektivi i policisë Dilaver Velo, babai i Albano Velos i arrestuar si organizator i krimit

Pak ditë pasi është shpallur në kërkim, policia ende nuk ka arritur në gjurmët e Andrevv Bode, 44-vjeçarit i cili dyshohet se është autor i vrasjes së Edmond Papës.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se nga të dhënat që kanë marrë dyshohet se 44-vjeçari me origjinë nga Berati mund të jetë larguar nëpërmjet kufirit të gjelbër drejt Greqisë, dhe më pas drejt vendeve të tjera të rajonit apo BE-së. Me dyshimin se një nga autorët e vrasjes së Papës ndodhet në Greqi, një grup hetimor i policisë shqiptare i është drejtuar vendit fqinj për të bashkëpunuar në hetime.

Deri më tani 44-vjeçari Bode nuk është shpallur në kërkim ndërkombëtar. Kjo pasi policia është në pritje që gjykata të caktojë masën e sigurisë arrest në burg në mungesë. Pas vendimit, nëpërmjet Interpolit emri dhe foto e Bodes u dërgohet agjencive dhe partnerëve të huaj për arrestimin e 44-vjeçarit. Ky i fundit rezulton person me precedent penal në fushën e trafikimit të lëndëve narkotike, por asnjëherë nuk është dënuar me vendim gjykate.

Një tjetër drejtim ku janë fokusuar hetimet është edhe marrja në pyetje e babait të Albano Velos, efektivi i policisë Dilaver Velo, i cili u pezullua nga detyra pas arrestimit të të birit si organizator në vrasjen e biznesmenit 49-vjeçar. Efektivi Velo mësohet se është shprehur se nuk ka patur dijeni në implikimin e të birit në ngjarje.

Por Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka nisur verifikimet për të verifikuar nëse i ati ka favorizuar Albano Velon për ta larguar nga Shqipëria. Gjithashtu janë verifikuar tabulatet telefonike të Albano Velos që kanë vërtetuar dyshimet e policisë që ditën e krimit, më 16 Dhjetor, por edhe dy ditë para vrasjes ka qenë duke lëvizur përgjatë zonës ku u vra Papa.

Hetimet gjithashtu kanë zbuluar se Audi me targa belge që u përdor në vrasjen e Papës nuk rezulton të jetë i vjedhur. Por targat e mjetit i përkasin një tjetër mjeti që ka hyrë në Shqipëri dhe më pas është shitur dhe pajisur me targa shqiptare. Policia po heton sesi targat e huaja përfunduan në duart e dy autoreve të vrasjes që më pas i montuan tek mjeti tip Audi.

Klan News