Tre javë pas ekzekutimit të 62-vjeçarit Bujar Çela, është mundur të zbardhet një pjesë e ngjarjes. Bëhet fjalë për një nga autorët e dyshuar të vrasjes, i cili tashmë është shpallur në kërkim. Klan Plus disponon emrin e ekzekutorit, si dhe atë të grupit që porositi këtë atentat, të cilat do të mbahen sekret për shkak të hetimeve.

Shumë shpejt, policia dhe prokuroria e Elbasanit pritet që të japin më shumë detaje. Bujar Çela, vëllai i Talo Çelës, u vra më breshëri plumbash të kalibrit 7.65 mm, të dala nga një armë “Scorpions”, mëngjesin e 17 shtatorit. Ai po konsumonte kafenë në një nga lokalet në Bradashesh të Elbasanit. Si çdo mëngjes ai kishte dalë për të punuar, pasi ofronte shërbim taksi pa licensë.

Në një kronikë të përgatitur fundjavën që lamë pas, Klan Plus ngriti pikëpyetje nëse kemi të bëjmë me një përplasje bandash të ndryshme apo ekzekutimet e njëpasnjëshme po bëheshin brenda llojit.

Me identifikimin e njërit prej autorëve të dyshuar, thonë burime nga grupi hetimor, kemi të bëjmë me një luftë brenda bandës së Talo Çelës, personit më të kërkuar të momentit. Edhe pse perosnalisht Talo Çela e ka mohuar të ketë lidhje, ai konsiderohet nga policia si koka e organizimit të grabtijes së 6.2 milion eurove në aeroportin e Rinasit. Zhdukja e parave pas zbulimit të grupit, është edhe shkaku që po prodhon viktima tashmë midis njerëzve që mbeten gjallë e ende nuk janë arrestuar.

Klan Plus