Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar dy persona të dyshuar për vrasjen e Liridona Murselit.

“Pas përfundimit të ekzaminimit të vendit të ngjarjes, janë ndërmarrë veprimeve intensive hetimore të cilat kanë rezultuar në arrestimin e dy personave të dyshuar lidhur me rastin e sipër shënuar”, njoftoi policia.

Naim Murseli gjatë ceremonisë mortore të bashkëshortes

Prokuroria konfirmoi se një prej të arrestuarve është Naim Murseli, bashkëshorti i saj. I arrestuar është edhe një bashkëfshatar i tij. Ai quhet Granit Plava.

“Prokuroria Themelore në Prishtinë, njofton opinionin publik se në koordinim me Policinë e Kosovës, në vazhdën e veprimeve hetimore të ndërmarra në mënyrë intensive, lidhur me rastin e dt. 29.11.2023, i cili është vlerësuar fillimisht si “grabitje me pasoja të vrasjes”, ku ka mbetur e vdekur një grua, ka rezultuar me arrestimin e dy të dyshuarve të përfshirë në këtë rast. Sipas urdhëresës së Prokurorit të Shtetit dhe me aprovim të gjyqtarit të procedurës paraprake, Njësiti i Hetimeve të Përgjithshme të Prishtinës, në kuadër të Policisë së Kosovës, kanë realizuar bastisje në dy lokacione në Gjakovë, me ç’ rast nga ky aksion janë arrestuar personat Granit Plava (dorasi) dhe Naim Murseli (bashkëshorti i viktimës), të dyshuar në vrasjen e viktimës, si dhe është sekuestruar arma e cila dyshohet të jetë përdorur në këtë rast. Aktualisht, të dyshuarit janë duke u intervistuar në stacionin policor, derisa ndaj të njëjtëve prokuroria do t’i ndërmerr veprimet e mëtjme ligjore. Prokuroria në koordinim me policinë po vazhdon me ndërmarrjen e veprimeve hetimore lidhur me këtë rast”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.

Policia e Kosovës thotë se po vazhdon operacionin dhe po bastis dy banesa në Gjakovë.

Dy ditë më parë u raportua se familja Murseli ra pre e një grabitjeje të armatosur në rrugën “Dalip Alshiqi” në Prishtinë, ku e vdekur mbeti gruaja 30-vjeçare. Ende nuk dihet arsyeja pas inskenimit të kësaj ngjarjeje të rëndë.

Naim Murseli ka qenë këshilltar i Behgjet Pacollit, kur ky i fundit ka qenë President i Kosovës. Ngjarja u raportua se ndodhi kur Liridona ka qenë së bashku me familjen e saj në makinë, bashkëshortin dhe dy fëmijët e tyre.

Murseli, i cili konsiderohej si dëshmitari kyç i kësaj historie, ka deklaruar më herët se familja ra pre e një grabitjeje. Autori i ndaloi dhe u kërkoi t’i jepnin sendet me vlerë.

Më pas, sipas tij, i qëlloi me armë zjarri duke lënë të vdekur gruan. Vetëm Naim Murseli tha se arriti të largohej bashkë me fëmijët./tvklan.al