Jo vetëm dëshmia e të penduarit të drejtësisë Klevis Alla, por edhe provat shkencore të siguruara nga grupi hetimor e bëjnë Talo Çelën, person përgjegjës për  vrasjen e 2 vëllezërve Haxhia.

Burimet bëjnë të ditur se në makinën që dyshohet se u përdor në atentat, janë gjetur gjurmë të të riut nga Elbasani.

Provë tjetër që e implikon  atë, janë gjurmët e gjetura në një nga  armët e zjarrit që u gjeten pak pas  ngjarjes në një kanal mes Shkozetit dhe Nishtullës. Atë kohë policia sekuestroi 12 aparate celularë.

Nga analizimi i qelizave telefonike dhe nga zbërthimi i telefonatave të bëra në atë zonë rezulton të këtë pasur shkëmbime informacionesh mes Talo Çelës dhe bashkëpunëtorëve te tjerë.

Një tjetër person që del nga hetimet e deritanishme është edhe Nuredin Dumani. Prokuroria ka dyshime të arsyeshme që ai ka bashkëpunuar me Çelën, por nuk ka prova të mjaftueshme që e implikojnë. Një nga pistat e hetimit është ndarja e parave të grabitura në Rinas më 9 Prill 2019. Por kjo nuk është e vetmja e Policisë dhe Prokurorisë.

Vëllezërit Haxhia duket të kenë pasur lidhje të mëhershme me grupet kriminale që operojnë në Durrës dhe Elbasan. Pistat e hetimit janë shtrirë në fusha më të gjera, ndaj çështja pritet të kalojë nga Prokuroria e Durrësit në atë të SPAK.

Zbardhja e kësaj ngjarjeje pritet të hedhë dritë mbi një sërë ngjarjesh kriminale të ndodhura në vend gjatë këtij viti, përfshirë edhe atë të rrëmbimit të Jan Prengës. Vija kriminale Vlorë- Elbasan- Durrës, vetëm sa është rizgjuar. Grupet hetimore dhe prokuroritë po i bashkëngjisin këto ngjarje me njëra tjetrën, për të gjetur atë që dyshojnë, pikë të përbashkët.

Klan Plus

Gazetare: Aida Topalli