Gjykata e Shkodrës ka dënuar me 22 vite burg Lekë Vuksanin, autorin e vrasjes së Petrit Vuksanit, ngjarje e ndodhur më 2 Maj të një viti më parë. Shkak i asaj ngjarje të rëndë u bënë konfliktet e vazhdueshme të autorit me viktimën, i cili ishte pronar i banesës ku qëndronte me qira 34-vjeçari, Vuksani.

E pikërisht këto konflikte, por dhe fakti që viktima e kishte nxjerrë nga shtëpia të riun, pasi ky i fundit nuk kishte paguar qiranë, faturat e ujit dhe ato të energjisë elektrike përshkallëzuan konfliktin deri në vrasjen e Petrit Vuksanit. Ky i fundit kishte rreth 1 muaj që ishte kthyer nga Anglia vend ku jetonte prej vitesh.

Pas ngjarjes, autori tentoi të largohej, duke qëndruar në arrati për disa orë deri sa u vu në pranga nga Policia e Shkodrës. Në seancën e kësaj të diele, prokuroria paraqiti të gjitha provat që implikojnë Lekë Vuksanin, si dhe rrethanat e mbi të cilat ai kreu krimin e rëndë për të cilin gjykata caktoi dënimin me 22 vite burg.

Gjatë relatimit të tyre, avokati mbrojtës i 34-vjeçarit, kërkoi nga gjykata që klienti i tij t’i nënshtrohet testit psikologjik, kërkesë kjo që u hodh poshtë nga togat e zeza.

Tv Klan