Vrau vajzën e tij, burg përjetë shqiptarit në Greqi



Vrau vajzën e tij, burg përjetë shqiptarit në Greqi

10:12 29/04/2020

Gjykata greke ka dënuar me burgim të përjetshëm Aleko Petron, 53-vjeçarin shqiptar që vrau vajzën e tij dhe më pas e varrosi në oborrin e shtëpisë.

Krimi i rëndë ndodhi në 2019-ën në prag të Vitit të Ri në ishullin e Korfuzit në shtetin grek. 29-vjeçarja me origjinë nga Berati u dhunua për vdekje nga babai i saj, pasi ky i fundit nuk pranonte lidhjen e vajzës me një djalë afgan.

Në seancën gjyqësore, Aleko Petro kërkoi një masë më të lehtë dënimi dhe shprehu pendesë për krimin që kishte kryer. Por gjykata greke nuk e pranoi pendesën e tij dhe tha se vrasja ishte e qëllimshme.

Anxhelina Petro humbi jetën për shkak të goditjes në kokë me shufër hekuri. Pas vrasjes, i ati e varrosi vajzën në oborrin e shtëpisë ku banonte në Korfuz dhe tentoi të fshihte ngjarjen, duke shprehur shqetësimin se nuk po gjente vajzën e tij. Por deklaratat kontradiktore që kishte dhënë në polici, bënë që hetuesit të dyshonin në thëniet e tij dhe zbuluan më pas krimin makabër.

Anxhelina jetonte me babain e saj, por ishte larguar nga banesa pak kohë përpara se të vritej. Ajo qëndronte me të dashurin e saj afgan në shtëpinë e këtij të fundit. Shkaku i largimit nga banesa e të atit, kanë qenë grindjet e shpeshta. 53-vjeçari Aleko Petro nuk pranonte lidhjen e vajzës së tij me djalin nga Afganistani që jeton në Korfuz. Ai nuk miratonte lidhjen e tyre dhe për këtë arsye debatonte shpesh me vajzën, deri kur Anxhelina vendosi të largohej dhe të bashkëjetonte me të dashurin. /tvklan.al



Të ngjashme