Kreu i një bande meksikane është vrarë gjatë kohës që po kryente një operacion plastik që të fshihte identitetin duke ndryshuar fytyrën dhe duke fshirë shenjat e gishtërinjve.

Autoritetet thanë se autori i sulmit hyri në klinikën që ndodhej në qytetin Puebla dhe vrau Jesus Martin, i njohur si El Kalimba, gjatë kohës që ai ishte duke u operuar.

Mendohet se vrasja ka ndodhur si pasojë e konflikteve me bandat rivale.

Jesus Martin drejtonte një bandë që vidhte karburant nga tubacionet dhe më pas e shiste duke i kushtuar kompanive meksikane të karburanteve miliona dollarë humbje.

Sipas BBC, ky ‘biznes’ është bërë krimi i dytë më i organizuar në Meksikë pas trafikut të drogës.

Bosat e bandave zakonisht dhurojnë karburant gjatë festave të ndryshme në komunitetet lokale për t’i pasur ata në mbështetje. Tashmë me mijëra familje janë përfshirë në këtë aktivitet ilegal.

Jesus Martin nuk ishte i pari që ka përdoruar operacionin plastik për t’i shpëtuar vdekjes ose arrestit.

Drejtuesi i kartelit të drogës Juarez, Amado Carrilo, vdiq për shkak të komplikacioneve që iu shfaqën nga operacioni në vitin 1997.

Joachim Guzmán, i njohur si El Chapo, u kap në vitin 2014 pavarësisht se kishte ndryshuar formën e shumicës prej karakteristikave të tij në fytyrë, gjatë kohës që ishte në arrati. 

/tvklan.al