Për të dytën herë radhazi pas zgjedhjeve të 25 Prillit, Ambasadorja Amerikane Yuri Kim është ngjitur në zyrën e Lulzim Bashës. Sikundër ndodh rrallë, kryediplomatja amerikane pas takimit që ka zgjatur 90 minuta ka bëre vetë publike se çfarë i kishte kërkuar kreut të demokratëve.

Ajo la të kuptohet se pjesë e diskutimit ka qenë edhe vendimi për shpalljen “non grata” të ish-kryeministrit Berisha. Pa u ndalur në emra të përvetshëm, ajo tha se një parti politike s’mund të hajë bar për hir të një deputeti të saj.

“Dëshiroj të theksoj rëndësinë që kryetarët e partive në Kuvend të shoqërohen nga deputetë që e meritojnë përfaqësimin e shqiptarëve. Do jetë e rëndësishme që Partia Demokratike të mendojë për këto çështje. Sikurse e kam thënë, PD-ja ka luajtur një rol të pazëvendësueshëm për ta nxjerrë këtë vend nga diktatura. Por do ishte ironi historike dhe njëherazi tragjike, nëse partia “do të hante bar” për hatër të një deputeti të saj”.

Në një deklaratë më shumë se ultimative për Lulzim Bashën, ambasadorja amerikane duket se i ka lënë kohë deri në fund të Gushtit për të vendosur kryedemokratit, i cili këtë muaj është fokusuar tek zgjedhjet e reja në parti.

“Për këtë arsye ka vendime të rëndësishme përpara për të gjithë dhe shpresoj që pas Gushtit njerëzit të rikthehen të ripërtërirë”.

Me rikthimin në shtator të demokratëve në Kuvend diplomatja amerikane dha edhe një mesazh socialistëve, duke i ftuar të ngrihen mbi interesat partiake.

Ky qëndrim i saj është një thirrje në adresë të maxhorancës për të vijuar me një ndër reformat për të cilat vetë zonja Kim u angazhuar personalisht, atë zgjedhoren, e për të cilën Lulzim Basha është shprehur do të kërkojë ndryshime.

Tv Klan