Shumica qeverisëse në Maqedoni do të kërkojë mendimin e Gjykatës Kushtetuese, për mosdekretimin e ligjit të gjuhëve nga presidenti Gjorge Ivanov. Këtë e paralajmëroi kryeministri Zoran Zaev në një deklaratë për mediat.

“Gjykata Kushtetuese të na tregojë si do të veprohet sepse mund të ndodhë që Presidenti të vendosë të mos nënshkruajë as 30 ligjet e tjera që do të votohen. Presidenti është i detyruar ta nënshkruajë dekretin, ndryshe do të kemi bllokim të demokracisë” u shpreh kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev.

Për konstitucionalistët, veprimi i presidentit është anti-ligjor pasi Kushtetuta e detyron presidentin ta dekretojë ligjin pas votimit të dytë pa asnjë kusht.

“Në Kushtetutë ekziston një dispozitë e pakushtëzuar që detyron Presidentin  të nënshkruajë dekretin kur ligji miratohet për herë të dytë me shumicë absolute. Aty nuk parashihet asnjë kusht që Presidenti të bëjë rivlerësim. Nga ana tjetër, nënshkrimi i Presidentit është i pazëvendësueshëm. Pa të ligji nuk hyn në fuqi”,

tha Igor Spirovski, ish-Anetar i Gjykates Kushtetuese.

Ligji i gjuhëve u miratua për së dyti në parlamentin maqedonas pasditen e 14 Marsit, mes tensioneve të krijuara nga partia opozitare VMRO-DPMNE dhe ish-kryeministri Nikolla Gruevski në përpjekje për të bllokuar seancën.

Tv Klan