BE: Përfundimi me sukses i këtij procesi hap i rëndësishëm për integrimin

Dorëzimi në Kuvend, pas miratimit në Këshillin e Legjislacionit të zgjatjes së afateve të vetingut është përshëndetur nga dy përfaqësitë diplomatike kryesore në Shqipëri, SHBA dhe BE. Përmes qëndrimeve të publikuara në rrjetet sociale, SHBA dhe BE e cilësojnë këtë një hap të rëndësishëm në rrugën e integrimit europian.

Drejtoria e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit, nxit të gjithë deputetët ta votojnë.

“Hap i rëndësishëm në Kuvend me paraqitjen e amendamentit kushtetues për zgjatjen e mandatit të organeve të vettingut, për të votuar të gjithë deputetët. Bashkimi Europian mbështet fuqimisht zgjatjen e mandatit. Përfundimi i suksesshëm i procesit të vetingut është tejet i rëndësishëm për integrimin europian të Shqipërisë”.

Ndërsa në mesazhin e saj ambasada e SHBA inkurajon Kuvendin të vazhdojë të ecë përpara.

“SHBA mbështesin integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, dhe janë dakord se mbështetja për amendamentin kushtetues për zgjatjen e vetingut e mban Shqipërinë me vendosmëri drejt rrugës së anëtarësimit. Vazhdoni të ecni përpara”.

Socialistët kërkuan zgjatjen e këtij afati me dy vite e gjysmë, deri në 31 Dhjetor të vitit 2024, ndërkohë që mandati i organeve të vettingut përfundon në Qershor. Për miratimin në kuvend të nismës kushtetuese të maxhorancës nevojiten 94 vota. Në mbledhjen e përbashkët të Këshillit të Legjislacionit dhe Komisionit të Ligjeve demokratët e bokotuan, ndërsa deputetët e Lëvizjes Socialiste për Integrim votuan kundër.

Klan News