Opinion- 31 Marsi i vitit 1991 ishte një moment historik për Shqipërinë. Për herë të parë Shqipëria zhvilloi zgjedhjet e para pluraliste në historinë e saj. Kishte pasur edhe më parë zgjedhje relativisht të lira më 1923-in, por ishin ndërprerë për 64 vjet pasi Shqipëria kishte votuar për një strukturë monopartiake.

Në serinë e dytë të emisionit “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu lidhur me zgjedhjet e para pluraliste të vitit 1991 trajtohet situata pas zgjedhjeve të asaj periudhe.

Zgjedhjet e 1991-shit i mësuan shqiptarëve se instrumenti jetik me të cilin demokracia funksionon ishin zgjedhjet e lira. Më 31 Mars të 1991-shit Partia e Punës kishte fituar zgjedhjet.

PD pati bindjen se këto zgjedhje ishin manipuluar, madje edhe në disa prej qyteteve kryesore ku PD kishte fituar mbi 80% të votave. Filluan të hidheshin zërat e parë për protesta. Mbështetja për PD ishte e jashtëzakonshme dhe qytetarët kishin bindjen se votat ishin vjedhur.

Dy ditë pas zgjedhjeve qytetarët e Shkodrës u mblodhën për të protestuar përpara Komitetit të PPSH. Kur protesta filloi ndodhi një nga ngjarjet që ka shënjuar thellë historinë këtij vendi. Policët dhe ushtarët që mbronin komitetin hapën zjarr dhe për pasojë humbën jetën 4 persona dhe u plagosën dhjetra të tjerë.

Protestuesit e paarmatosur e dogjën komitetin, por ngjarja mbetet në kujtesë si nga më tronditëset. Pas kësaj ngjarje PD deklaroi se nuk do të merrte pjesë në Parlament pa u hapur një hetim serioz për të gjetur fajtorët. Por PPSH vendosi t’i hapte punimet e parlamentit dhe në emër të PD mori pjesë Neritan Ceka, i cili në fjalimin e tij kërkoi që të gjenden autorët e 2 Prillit.

Me ndërmjetësimin e ambasadave të huaja, PD hyn për herë të parë në Parlament më 17 Prill. Parlamenti i parë pluralist nisi të funksionojë dhe duhej të zgjidhte Presidentin. Për herë të parë Ramiz Alia do të detyrohej të jepte dorëheqjen nga partia që drejtonte për të kandiduar si figurë e pavarur politikisht.

Por zgjedhjet nuk mund të zhvilloheshin vetëm me një kandidat. Opozita refuzoi që të vendoste një kandidat. Sipas ligjeve të kohës, mazhoranca u detyrua të nxirrte edhe një kandidat që do të ishte Namik Dokle. Shumica e votave kishin shkuar në favor të Ramiz Alisë, i cili do ta konsumonte këtë mandat vetëm për 1 vit. Pas zgjedhjeve të 22 Marsit të 1992 dhe fitores së PD, Alia u detyrua të japë dorëheqjen dhe t’i lërë vendin Sali Berishës. Kryeministër i Shqipërisë u zgjodh Fatos Nano, i cili formoi kabinetin e tij me njerëz të rinj, kryesisht pedagogë që tentonin të sillnin një vizion të ri. Më 3 Qershor të 1991 Nano jep dorëheqjen. Vetëm 7 ditë më pas, Kongresi i 10-të i Partisë së Punës, pasi ndërroi emrin në Parti Socialiste, do ta zgjidhte atë kryetar të saj./ tvklan.al