Sot Kosova zhvillon raundin e dytë të zgjedhjeve lokale për kryetarët e komunave. Votën e tij këtë të diel e hodhi në kuti edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Duke marrë shkas edhe nga moti i mirë, kreu i qeverisë kosovare inkurajoi qytetarët që të dalin të votojnë për të ushtruar sipas tij të drejtën e tyre demokratike.

“Ju përshëndes të gjithëve, unë si qytetar i Republikës dhe banor i kryeqytetit porsa votova, porsa ushtrova të drejtën demokratike për të zgjedhur kryetarin e komunës. Komuna është shumë e rëndësishme. I inkurajoj qytetarët që ta shfrytëzojnë mundësinë, ta përdorin këtë rast dhe të përcaktohen për veten e tyre nëpërmjet udhëheqësve që do të zgjedhin sot. Pjesëmarrja sa më masive është e pritshme. Me 14 Nëntor mund të themi që e përmbyllim një vit të suksesshëm dhe të mirë elektoral. Kosova ka dëshmuar nëse është një shtet demokratik ku respektohen të drejtat e qytetarëve dhe ata në mënyrë të lirë dhe të ndershme zgjedhin ata që do të zgjedhin në vijim për ne. Urime të gjithë kjo përmbyllje e këtij viti të suksesshëm elektoral. Sot flasin qytetarët”, tha Albin Kurti./tvklan.al